Ja kush janë ata që sot janë të pakënaqur për kthimin e Vjosa Osmanit në LDK

Ja kush janë ata që sot janë të pakënaqur për kthimin e Vjosa Osmanit në LDK
Ja kush janë ata që sot janë të pakënaqur për kthimin e Vjosa Osmanit në LDK

Idriz Zeqiraj

  • 19 May 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Pranimi "unanimisht" në realitet është relativ. Prodhimi i pakënaqësive është manifestuar hapur nga nostalgjikët e atyre që e përzunë Vjosë Osmanin dhe Donikë Gërvallen. Por, sa kanë të drejtë kontestuesit e grupimit kundërshtarë të kthimit të Vjosë Osmanit në LDK dhe të propozimit të saj si kandidate kryesuese të listës garuese me 19 emra deputetësh?

Përgjigja e saktë është: aspak! Këtë e argumentojmë me fakte:

-Në menaxhimin e LDK-së, përveç Isa Mustafës, ishin pjesë edhe Hashim Thaçi dhe SHIK-u i PDK-së, të cilët rekomandonin emërimin e disa ministrave nga LDK-ja.

Çmontimi i rugovizmit filloi me mbylljen e Aktivave. Nga 53 Aktiva në një komunë të nivelit të tretë, u reduktuan në vetëm 4 Nëndegë. LDK-Qendër shpërfilli bashkëpunimin me bazën partiake. Përjashtimi i debatit demokratik dhe mohimi i votës së fshehtë, i degraduan LDK-në deri në një gjendje degjeneruese, duke e ulur nga 47% që kishte në epokën e Rugovës në vetëm 9.8% – dhe jo 12%, siç proklamohet falsifikueshëm, pasi në garë ishte edhe Pacolli me disa parti minore.

Bojkotuesit e sotëm të Këshillit Përbashkues të LDK-së, janë ata që në të kaluarën koordinuan me PDK-në, konkretisht me PAN-in, për t'i dhënë Vazhdimësi mandatit të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, për dy herë radhazi me aklamacion, përmes votimit të hapur.

Në Kuvendin e 8-të "Zgjedhor", këta kundërshtarë të sotëm ishin të pranishëm në sallën kuvendore kur Vjosa kërkoi debat demokratik dhe votim të fshehtë. Në vend që të dilnin në mbrojtje të saj, deri në ndërprerjen e Kuvendit, të pakënaqurit heshtën "si peshqit", përballë dramës që kishte protagonist Dr. Vjosa Osmanin, atëbotë një vajzë 33-vjeçare!

Lideri i ri, Lumir Abdixhiku, ngjalli shpresën e rritjes në afro 18% në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. LVV gjithashtu theksoi rritjen, sepse populli i Kosovës refuzoi kthimin në pushtet të "komandantëve" të cilët janë penalizuar nga gjyqet vendore dhe ndërkombëtare për krime ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë gjatë dhe pas luftës, po ashtu edhe për hajninë industriale dhe makro-kontrabandën që shkaktuan miliarda euro humbje për shtetin.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Albin Kurti i ofroi bashkëqeverisje LDK-së, duke e refuzuar PAN-in e kriminalizuar. Por, klani i Mustafës brenda kryesisë, në konspiracion me PDK-në, pengoi koalicionin.

Qeveria Kurti, për të bindur Europën dhe botën se hapja e urës së bllokuar mbi Lumin Ibër, e mbyllur për një çerek shekulli, nuk paraqet asnjë rrezik, vendosi ndërtimin e dy urave paralele. Firma e kontraktuar filloi punimet me tre ndërresa, non-stop, nga frika e ndalimit të punimeve për shkak të reagimeve nga Serbia dhe BE-ja. Për çudi, reagimit iu bashkua edhe shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe PDK-ja, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ndalimin e punimeve si ndërtim "një burimor"! Ky veprim sabotues irritoi shqiptarët, pasi nuk kishte kohë për të humbur me tenderime përzgjedhëse.

Fati i mirë, Komandanti i KFOR-it tha se "urat i bashkojnë njerëzit". Albin Kurti ndjeu guximin për të sfiduar Serbinë dhe burokracinë e BE-së, duke ndërtuar dy ura paralelisht, duke e shumëzuar me zero Urën e gjigante të harkuar të Evropës. E vërteta është se asgjë e keqe nuk ndodhi.

Caktimi i datës së zgjedhjeve më 28 dhjetor 2025, nga presidentja Vjosa Osmani, pas konsultimit me subjektet politike, ngjalli reagime të ashpra dhe të turpshme nga opozita. Kjo u interpretua si një armiqësi e hapur ndaj shtetasëve në mërgim. Akuzuan Presidenten se po favorizonte Mërgatën shqiptare duke e bërë të lehtë që ata të ishin të pranishëm në votime, për t'i dhënë kështu një përparësi Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Sipas opozitës, kjo do të mundësonte mërgimtarët që të votojnë me shumicë për LVV-në.

Për të lehtësuar procesin e votimit, Ministria e Jashtme dhe ajo e Diasporës hapi disa pika shtesë votimi, përveç Ambasadave dhe Konsullatave, në disa vende me numër të madh shqiptarësh. P.sh., në Gjermani u hapën 10 pika votimi. Arsyetimi për këtë ishte njerëzor – për të shkurtuar distancën që mërgimtarët kanë me përfaqësitë diplomatike. Republika e Bavarisë ka një Konsullatë në Mynih, që mbulon gjithashtu Republikën e Thüringenit, e cila ndodhet 450 km larg. Në të vërtetë, udhëtimi për mërgimtarët është 900 km, dhe disa qytete të tjera në Bavari ndahen nga 200 deri në 600 km, duke i detyruar ata të bëjnë dy rrugëtima. Vetëm nëse ndihmojnë një anëtar të familjes, do ta bënin një sakrificë të tillë për të udhëtuar kaq larg.

Ata që sot janë të pakënaqur për kthimin e Vjosë Osmanit në LDK janë pikërisht ata që e dërguan çështjen në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me mospranimin e hapjes së pikave shtesë për votim në Evropë dhe botë! E dihet se mërgimtarët kanë qenë gjithmonë me Ibrahim Rugovën dhe LDK-në e tij. Mirëpo, një qasje kaq e vrazhdët ndaj tyre përfundimisht pakëson simpatinë dhe anëtarësinë në LDK.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".