A po kërkon Albin Kurti një mandat absolut për ta riformatuar Republikën ahtisariane?

A po kërkon Albin Kurti një mandat absolut për ta riformatuar Republikën ahtisariane?
A po kërkon Albin Kurti një mandat absolut për ta riformatuar Republikën ahtisariane?

Fadil Maloku

  • 19 May 2026 - 13:16

Shkruan; Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog

Shumica nga ju do mund të pyesni se përse lideri i VV-së po kërkon një fitore të re historike me mbi 60% nga elektorati kosovar. Mirëpo, askush nga shoqëria civile, mediet apo opozita që “i ka humbur dera në oborr” nuk po shoh se po bën ndonjë përpjekje të japë përgjigje, sado pak minimale, në këtë drejtim. Poashtu, nuk ka asnjë analizë që do dëshmonte se çfarë benefitesh apo çfarë reperkusionesh hipotetike, do të “prodhonte” një fitore me mbi 60% të mbështetjes së qytetarëve kosovarë për KM në detyrë dhe subjektin që ai përfaqëson? 

Në gjykimin tim sociologjik, arsyeja pse kërkesa e Albinit, po edhe debati ku po kërkohet një fitore e madhe, e do të shtoja edhe historike, kur të kihet parasysh tipi i demokracisë procedurale, e cila në pamje të parë duket që e pamundëson një fitore absolute të VV-së prej 60%, nuk është vetëm debat zgjedhor; por, para së gjithash, është një debat sociopolitik mbi modelin e ardhshëm kushtetues të Kosovës. Kjo ambicie dhe synim i tij për një fitore historike me mbi 60%, në fakt, është një ripërpjekje për t’i dëshmuar jo vetëm elektoratit të VV-së, por edhe mbarë shoqërisë kosovare se arkitektura e tanishme kushtetuese, e prodhuar pas përfundimit të luftës nga agjendat dhe kancelaritë e Brukselit, në stilin “copy-paste” të pasluftës që njihet si “projekti ahtisarian”, nuk i plotëson as kriteret e as ambiciet e shqiptarëve të Kosovës për ta definuar Kosovën në plotëni si shtet westfalian. Ku, me ligje dhe me Kushtetutë, të gjithë banorët e gjendur në Kosovë, pa dallim feje, gjinie, kombi apo përkatësie etnike e fetare, gëzojnë të gjitha të drejtat qytetare sikurse qytetarët e një shteti evroperëndimor. Ky projekt, që tashmë njihet, por ende nuk thuhet publikisht as nga aparatçikët partiakë e as ata shtetërorë, si “Republika e tretë”, ka edhe një pretendim tjetër shtesë: atë të rritjes së shkallës së fleksibilitetit dhe kompetencës sovraniste mbi qytetarët e saj dhe të ndryshimit të pjesës normative të pushtetmbajtjes.

Sociologjikisht, kjo kërkesë, po edhe apel për ta arritur kuotën e fitores mbi 60%, në fakt duhet të interpretohet në disa nivele:

1. Niveli i parë

Ku “fitorja zgjedhore” do të shërbente si një lloj mbulese dhe “licencë plebishitare” për një mandat absolut, që liderit të saj Albin Kurtit,do t’i shërbente si një alibi etiko-politike dhe se me këtë lloj fitoreje plebishitare, ai nuk përfaqëson më vetëm subjektin e VV-së, por “gjithë popullin” e Kosovës. Por, një fitore e tillë, që mbetet për t’u parë nëse mund të arrihet, ndërkohë duket se i ka edhe ca qëllime e objektiva të tjerë shtesë, si;

a) delegjitimimi, mënjanimi, por edhe margjinalizimi i skajshëm moralo-politik i opozitës aktuale nga skena politike;

b) krijimi i një narrative të re “hegjemone”, ku për dekada të tëra do të krijohej përshtypja se Kosova vetëm kështu do të mund të mbijetonte si shtet në Ballkan dhe objektiva e tretë;

c) kompromitimi dhe kontestimi i idesë së pluralizmit si një pengesë serioze për realizimin e “vullnetit popullor” dhe të ëndrrës së bashkimit kombëtar.

Pra, opozita nuk do të trajtohej më si alternativë demokratike, por si mbetje e së kaluarës politike.

2. Niveli i dytë

Ku ideja për “pushtimin” e Presidencës, që në fakt është një logjikë makiaveliste që çon në “ujërat” e një centralizimi simbolik, nënkupton synimin dhe ambicien politike të Albin Kurtit për një kontroll absolut: mbi pushtetin ekzekutiv; mbi simbolikën sovraniste; dhe mbi interpretimet kushtetuese të shtetit.

Shprehur me gjuhën sociologjike, kjo tentativë me këto qëllime objektiva, që VV ende nuk po i thotë publikisht, janë shenja, indikacione po edhe referenca të dukshme për kalimin e Kosovës nga tipi i demokracisë konsensuale në tipin e demokracisë majoritare.

3. Niveli i tretë

Ku “Republika e tretë”, që ende s’po përmendet si projekt i ri identitar e shtetëror i VV-së, ka për mision finalizues, përveç “shkurorëzimit” definitiv nga narrativa e asaj që ne e njohim si “krahu i paqes” dhe “krahu i luftës”, edhe krijimin e një miti të ri shtetformues dhe inaugurimin e një rendi të ri kushtetues me qendër figurën e liderit të ri reformator, të identifikuar me emrin e Albin Kurtit.

Pra, nga perspektiva e përkrahësve dhe arkitektëve të “Republikës së tretë”, benefitet që ende unë nuk po i shoh të shpalosura as pjesërisht e as tërësisht, as në debate e as në prononcimet aktuale, përafërsisht do të mund të ishin: ideja e një stabiliteti më të madh institucional; ideja e shmangies së koalicioneve të brishta, që prodhuan vetëm ngecje në vendimmarrje në vend të efikasitetit; pastaj ideja e krijimit të një mekanizmi të munguar të kontrollit sociopolitik, sidomos kur janë në pyetje temat e luftimit të krimit dhe korrupsionit klientelist; si edhe ideja e reduktimit të administratës aktuale megalomane në një administratë meritokratike dhe tejet efikase, ashtu, siç ka vepruar p.sh. Sllovenia.

Thënë edhe më thjesht, arkitektët dhe ithtarët e ndryshimit të Kushtetutës aktuale me një Kushtetutë të re të identifikuar tashmë (por, të pa thënë ende publikisht!) si “Republika e tretë” gjykojnë dhe janë të bindur se projekti i tyre është një domosdoshmëri e pakthyer nga modeli i “shtetit të kompromisit” (ahtisarian)në modelin e shtetit të efikasitetit.

 

 

Por, për mua, dilema “hamletiane” rreth këtij projekti mbetet tejet pezull edhe për faktin se; ky projekt nuk e shpalosi decidivisht ende synimin se a e ka për imperativ modernizimin e republikës apo koncentrimin dhe “mirëmbajtjen” e pushtetit në “duart” e një figure të vetme politike që mund të konsistohet edhe si rrugëtim me primesa autokratike. Pastaj, a është ky Projekt në funksion të “ikjes” nga “kurthi ahtisarian”, ku për ndryshime kushtetuese kërkohen 2/3 e votave nga minoriteti (me vetëm3%% përfaqësim!?) serb? Apo thjeshtë është vetëm një blasfemi e re utopike për t’i ikur përgjegjësisë për spostimin e idesë madhore të “bashkimit kombëtar”?! Bëjmë këto pyetje edhe për shkakun se historikisht, është dëshmuar se në shumicën e shoqërive post-tranzicionale, liderët që kërkonin “licencë totale plebishtare” në emër të reformave kushtetuese në shumicën e rasteve kanë rrëshqitur me të “dy këmbët” në “ujërat” e margjinalizimit të parimeve dhe begatisë së pluralizmit dhe të personifikimit të pushtetit me shtetin dhe me liderin…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".