Deputeti Kokaj harron se ku ndodhet, mban ligjëratë shkencore në Kuvend

  • A.P /
  • 17 November 2020 - 17:04
Deputeti Kokaj harron se ku ndodhet, mban ligjëratë shkencore në Kuvend

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, me terma shkencorë, në seancën e sotme të Kuvendit ka konstatuar se çdo i infektuar me COVID-19 është një bombë.

“Çdo njeri që infektohet, mund të bëhet bombë e re për njerëzit, për njerëzit e Kosovës”, ka thënë Kokaj pas një analize të stërngarkuar me terma shkencorë, të cilët tha se nuk beson që i kupton ministri i Shëndetësisë.

Ai e ka pyetur ministrin e Shëndetësisë se a po bëjnë “matje të sekuencës gjenetike”, sipas të cilës – ka vlerësuar Kokaj – mund të kuptohet se si shpërndahet virusi dhe nga ka ardhë.

“A keni ekspertë gjenetikë, ekspertë matematikorë?”, ka pyetur ai.

“Ka shumë gjëra shkencore për të cilat s’besoj që jeni kompetent të përgjigjeni. Nëse përgjigjeni, do t’u bëj edhe pyetje tjera shkencore”, ka thënë Kokaj në fund të fjalës së tij.

Pasi Kokaj mbaroi, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, s’deshi t’i replikojë, por u dëgjua duke thënë “Ma shumë është tu ligjëru bre”. 

(Kosova Sot Online)