Lexoni edhe:
IKSHPK ia huq, komuna e Mamushës demanton lajmin se një 31-vjecar ka vdekur nga Covid 19
Ibrahim Makolli, Kryesues i grupit punues për të pagjeturit, ka dhënë detaje për kërkimet që po zhvillohen në Rashkë të Serbisë, aty ku së fundmi u gjetën mbetje mortore e që besohet se bëhet fjalë për trupa të shqiptarëve të bartur në vitin 1999.
Makolli tha se në atë zonë është hasur në mbetje mortore me origjinë njerëzore dhe do ta ekzaminojmë në tërësi atë pjesë.
“Kemi hyrë në vitin e pestë të trajtimit në regjionin e Rashkës, që dyshohet për trupa të bartur të shqiptarëve në vitin 1999. Mbetjet mortore dyshohet se janë trupa të shqiptarëve të bartur në territorin e Serbisë…Pas kësaj gjetje vazhdojnë procedurat e tjera që kanë të bëjnë me gërmime në tërësi dhe pastaj veprimet ligjore dhe shkencore, do të bëhet identifikimi i mbetjeve dhe në fazën e fundi ri-atdhezimi i tyre dhe dorëzimi”, tha Makolli.
Tutje ai tha se nuk dihen numri i trupave të pajetë e as prejardhja e tyre prej Kosovës.
“Na kanë kontaktuar numër i madh i familjarëve në gjithë Kosovën”, tha Makolli, por bëri me dije se është herët të dihen këto informacione.
“Dua të besoj që nuk do të ketë vonesa në trajtimin e këtij lokacioni deri në fund”, tha ai ndër të tjera.
Ai shtoi se deri më tani nga Serbia janë ri-atdhesuar 950 shqiptarë në Kosovë, teksa shtoi se ky fakt është i mjaftueshëm për të ditur se kush ka kryer krime në luftë.
(Kosova Sot Online)