Llapi divorcohet nga LDK’ja pas 20 vjetëve

  • E.K /
  • 29 November 2020 - 22:02
 Llapi divorcohet nga LDK’ja pas 20 vjetëve

Pas 20 vjetëve, për herë të parë, LDK’ja humbi bastionin e saj të padiskutueshëm deri tash, Podujevën. Agim Veliut iu la një shenjë, duke iu marrë nga duart komuna ku ka fituar çdo palë zgjedhje.

Shpejtim Bulliqi, që deri para dy vjetëve ka qenë pjesë e LDK’së dhe shumë vjet ka pasur funksione brenda komunës së Podujevës, tash e ka mposhtur ish partinë e tij nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai fitoi kundër ish-bashkëpartiakut të tij Nexhmi Rudarit. Bulliqi mori 51.64 për qind të votave, duke mos pasur nevojë të shkohet në balotazh.

Kjo shihet si humbje e Agim Veliut, të fortit të LDK’së në Llap, që ka fituar të gjitha zgjedhjet komunale që nga përfundimi i luftës. Ai ka dalë vetë në konferencë për të thënë se “ne i kemi humbur këto zgjedhje”.

Fushata zgjedhore në Llap është parë më shumë garë mes Albin Kurtit e Agim Veliut, sesa e dy kandidatëve. Sepse, ata kishin nisur luftën mes vete në Qeveri, kur Kurti ishte kryeministër, e Veliu u bë ministër i Punëve të Brendshme. Kurti e shkarkoi nga pozita, e kjo i kushte me rrëzim nga pushteti.

“Shej’ nuk ma ka lënë”, kishte thënë Veliu, pasi ish-kryeministri Kurti e shkarkoi.

Një shenjë Veliut iu bë sonte kur LVV’ja ia mori bastionin e saj, komunën ku vetë Veliu ka fituar çdo palë zgjedhje.

Podujeva shkoi në zgjedhjet e parakohshme pasi kryetari i saj, Agim Veliu, la detyrën për t’u bërë pjesë e qeverisë në muajin shkurt të këtij viti. Në garën për kryetar të Podujevës kanë qenë Shpejtim Bulliqi i LVV’së, Nexhmi Rudari i LDK’së dhe Naim Fetahu i PDK’së.

Shpejtim Bulliqi do ta udhëheqë komunën për 8 muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjet komunale në tërë Kosovën, pra në fund të vitit 2021.

(Kosova Sot Online)