Gjermania bind Hungarinë dhe Poloninë për ta zhbllokuar buxhetin e BE-së

  • E.K /
  • 09 December 2020 - 15:39
Gjermania bind Hungarinë dhe Poloninë për ta zhbllokuar buxhetin e BE-së

Një zyrtar i lartë i Qeverisë së Polonisë ka thënë se vendi i tij dhe Hungaria kanë pranuar në parim një propozim për buxhetin e BE-së, të bërë nga presidenca gjermane, dhe tash po e presin miratimin e Holandës dhe disa vendeve tjera anëtare që ende janë skeptike.

Polonia dhe Hungaria i kanë bllokuar 1.8 trilion euro për shkak se qeveritë nacionaliste të këtyre shteteve e kanë kundërshtuar kushtëzimin e qasjes në fondet e BE-së me zbatimin e ligjit. Kjo çështje pritet të diskutohet të enjten në një samit të BE-së.

“Ne jemi në mënyrë preliminare në marrëveshje, por ka ca trysni. Qëllimi është që kjo të kryhet para samitit të BE-së”, tha zyrtari polak, duke folur në kushte anonimiteti.

Një diplomat i Bashkimit Evropian në Bruksel konfirmoi se palët janë duke e pritur konfirmimin përfundimtar, shkruan Reuters.

Ndryshe, Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, u takua të martën në Varshavë me homologun e tij hungarez, Viktor Orban. Pas takimit, Orbani tha se ekzistojnë gjasa të mira që të arrihet marrëveshje këtë javë.

Bashkimi Evropian për një kohë të gjatë ka pasur mosmarrëveshje me Varshavën dhe Budapestin, të cilët i akuzon për cenim të sundimit të ligjit përmes vendosjes së kontrollit politik mbi sistemin e drejtësisë, mediet dhe institucionet tjera.

Në anën tjetër, Polonia dhe Hungaria kanë mohuar se politikat e tyre e kërcënojnë sundimin e ligjit, ndërsa qëndrimin e BE-së e cilësojnë si ndërhyrje në çështjet e tyre të brendshme.

(Kosova Sot Online)