Rusia ia gjen “ilaçin” pandemisë – e ul numrin e testimeve

  • E.K /
  • 16 December 2020 - 10:20
Rusia ia gjen “ilaçin” pandemisë – e ul numrin e testimeve

Rusia ka kryer rreth 10 për qind më pak teste për koronavirus në pjesën e parë të dhjetorit në krahasim me pjesën e parë të nëntorit, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, tregojnë të dhënat zyrtare.

Njerëzit që jetojnë jashtë Moskës e që kanë simptoma të koronavirusit mund të presin me ditë të tëra për t’u testuar dhe mjekët nganjëherë refuzojnë që t’i testojnë ata, në bazë të intervistave që agjencia Reuters ka realizuar me pacientë, mjekë dhe zyrtarë nga 11 rajone.

Instituti për shëndetin e konsumatorëve më 16 nëntor urdhëroi që të rritej numri i testimeve. Sidoqoftë, numri i tyre gjatë pjesës së parë të dhjetorit u ul për 825.000 ose 11 për qind në krahasim me pjesën e parë të nëntorit.

Ky institucion u ka lejuar punëtorëve shëndetësorë që të mos i testojnë njerëzit që kanë pasur kontakt me persona të infektuar por që vetë nuk kanë simptoma, shkruan Reuters.

Ministria e Shëndetësisë, Instituti për shëndetin e konsumatorëve dhe qendra e krizës për koronavirusin nuk i janë përgjigjur kërkesës për koment në lidhje me uljen e numrit të testimeve.

Dy zyrtarë lokalë dhe një mjek nga rajonet Nizhny Novgorod dhe Povolzhsky i thanë Reuters-it në kushte anonimiteti se punëtorët shëndetësorë jozyrtarisht janë udhëzuar nga menaxherët apo qeveritë lokale për t’i pakësuar testimet për shkak të mungesës së mjekëve.

Ndryshe, rastet e infektimeve në Rusi kanë filluar të shtohen që nga shtatori, duke e arritur shifrën rekorde prej mbi 29.000 të infektuarve për një ditë më 6 dhjetor.

(Kosova Sot Online)