Mefaili bie drastikisht në listën e LVV-së, ishte i 20-ti, tani i 70-i

  • A.P /
  • 17 January 2021 - 11:17
Mefaili bie drastikisht në listën e LVV-së, ishte i 20-ti, tani i 70-i

Mefail Bajqinovci në shtator të vitit 2019 e la gazetarinë për t’u futur në politikë. Ai aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje dhe u mirëprit nga dy figurat më të rëndësishme të këtij subjekti politik, Albin Kurti e Glauk Konjufca.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Bajqinovci garoi me numrin 20 në listën e kandidatëve të LVV-së për deputetë. Për zgjedhjet e 14 shkurtit, ai do të garojë i 70-i në listë.

Ai mbrëmë ka shkruar rnë Facebook lidhur me kandidimin, por nuk e përmendi numrin të cilin do ta mbajë.

“Të dashur qytetarë, miq e familjarë,Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari Albin Kurti, sërish më dhanë besimin që të jem në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.Duke dhënë angazhimin tim maksimal, do jem zëri i juaj në parlamentin e Kosovës.Ju falenderojë të gjithëve nga zemra për përkrahjen!”, shkroi Bajqinovci.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, në shtator të vitit 2019 e prezantoi Bajqinovcin si “njëri nga udhëheqësit më të guximshëm të emisioneve televizive”, duke thënë se ai e “ka goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin institucional”.

“Në publikun kosovar identifikohet si njëri nga udhëheqësit më të guximshëm të emisioneve televizive, duke dhënë një kontribut të çmuar në promovimin e gazetarisë hulumtuese dhe nxitjen e aktivizimit qytetar. Për 15 vjet rresht “Puls” ka goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin institucional duke sjellur informacione ekskluzive e skandale si dhe duke trajtuar problemet e ndryshme në shoqërinë kosovare, që nga menaxhimi i shtetit, e deri te politika, ekonomia, shëndetësia dhe çështjet sociale”, kishte shkruar ndër tjerash Kurti.

Bajqinovci kishte arritur të fitonte një mandat deputeti në zgjedhjet e fundit, duke i marrë mbi 14 mijë vota. 

(Kosova Sot Online)