Akuzueset e Weinsteinit do të dëmshpërblehen me 17 milionë dollarë

  • E.K /
  • 26 January 2021 - 10:05
Akuzueset e Weinsteinit do të dëmshpërblehen me 17 milionë dollarë

Një gjykatëse amerikane ka pranuar që të ofrohet shuma prej 17 milionë dollarësh për gratë që e akuzuan për dhunim seksual drejtorin e filmit, Harvey Weinstein.

Vitin e kaluar, burri 68 vjeç u shpall fajtor dhe u dënua me 23 vjet burgim për dhunim seksual, shkruan BBC.

Pagesa për viktimat do të bëhet nga likuidimi i kompanisë “Weinstein Co”, që ka aplikuar për bankrotim në vitin 2018.

Kjo kompani ishte themeluar si studio e pavarur filmike, ndërsa Weinstein ishte një ndër themeluesit e saj. Kompania u fut në kolaps në fund të vitit 2017 pas pretendimeve të shumta për sjellje të pahijshme seksuale kundër drejtorit të filmit.

Fondi prej 17 milionë dollarësh do të ndahet nga mbi 50 akuzues, ndërsa ato që kanë qenë viktima të rasteve më të rënda do të marrin nga 500.000 dollarë ose më shumë.

Ndryshe, kompania “Weinstein Co” ia shiti për 289 milionë dollarë asetet kompanisë “Lantern Entertainment”.

(Kosova Sot Online)