Dy të vdekur nga stuhia e pazakontë dimërore

  • E.K /
  • 16 February 2021 - 09:12
Dy të vdekur nga stuhia e pazakontë dimërore

Dy persona kanë vdekur në Teksas. Zyrtarët thanë se këta njerëz mund të kenë vdekur nga temperaturat e ulëta dhe mungesa e rrymës në disa pjesë të vendit, në kohën kur jugu i ShBA-së është përfshirë nga një stuhi e pazakontë dimërore.

Autoritetet raportuan se dy burra u gjetën në vdekur skaj rrugëve në zonën e Hjustonit. Nuk u bë i ditur zyrtarisht shkaktari i vdekjes së tyre, por zyrtarët thanë se dyshohet që burrat kanë vdekur nga temperaturat e ulëta.

Pjesa më e madhe në Austin është pa rrymë, ndërsa disa njerëz vendosën të flenë në vetura duke ua lënë motorët ndezur për t’u ngrohur, shkruan The Guardian.

Më në perëndim, autoritetet në San Antonio zbatuan ndërprerje të kontrolluar të energjisë me qëllim të kursimit të saj për kohën kur ka kërkesë më të madhe. Në disa raste pati furnizim me rrymë vetëm nga 10 minuta në çdo orë.

Stuhia dimërore solli borë, breshër dhe temperatura në ulëta në shtetet e rrafshëta jugore të ShBA-së, duke shkaktuar jo vetëm urgjencë energjetike në Teksas, por edhe anulim të fluturimeve dhe kaos në trafik në pjesë të mëdha të vendit.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, e angazhoi Gardën Kombëtare për ta kontrolluar gjendjen e banorëve dhe për të ndërtuar qendra për ngrohje.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka shpallur gjendjen emergjente për 254 distriktet e Teksasit dhe e ka autorizuar Agjencinë Federale për Menaxhimin e Emergjencave që të marrë masa për lehtësimin e jetës së qytetarëve në atë pjesë.

(Kosova Sot Online)