KQZ ka marrë një vendim të ri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që t’iu mundësojë votuesve mbi 80 vjeç që të regjistrohen përmes platformës elektronike për të votuar përmes ekipit mobil në ditën e zgjedhjeve nga vendbanimi apo adresa e tyre.
Për të lehtësuar procesin e regjistrimit, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike: https://vpnv.kqz-ks.org, e cila është e qasshme deri në përfundimin e kësaj periudhe, ndërkohë afatet janë si në vijim:
I. Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta, 22 maj – 31 maj 2026
Votues me nevoja të veçanta, konsiderohen votuesit me zotësi juridike që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotim, për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore ose çfarëdo paaftësie tjetër.
Regjistrimi i këtyre votuesve mund të bëhet përmes platformës elektronike ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.
II. Regjistrimi dhe evidentimi i votuesve me lëvizje të kufizuar në institucione, 22 maj – 1 qershor 2026
Votues në institucione konsiderohen votuesit me zotësi juridike, me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion: votuesit në hospitalizim, njerëzit e moshuar në shtëpitë e caktuara për të moshuarit, personat në trajtim në institucionet e shëndetit mendor, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit.
Sipas njoftimeve zyrtare, KQZ në bashkëpunim me institucione relevante bën evidentimin e këtyre votuesve.
Votuesit me lëvizje të kufizuar në institucione dhe të evidentuar prej tyre konsiderohen si votues të regjistruar, ndërkaq votuesit që ndodhen në institucione të hospitalizimit, shtëpitë e të moshuarve dhe strehimoret për mbrojtjen e viktimave, mund të regjistrohen edhe individualisht përmes platformës elektronike.
III. Rregjistrimi i votuesve në rrethana të veçanta, 22 maj – 31 maj 2026
Votues në rrethana të veçanta konsiderohen votuesit që për shkaqe sigurie dhe votuesit që janë në arrest shtëpiak nuk mund të votojnë në vendovitimin e tyre të caktuar.
Regjistrimi i votuesve që për shkaqe sigurie nuk mund të votojnë në vendvotim bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së si dhe duke kërkuar asistimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi, ndërkaq, KQZ në bashkëpunim me institucionet përkatëse bën evidentimin e qytetarëve me të drejtë vote që ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.
(Kosova Sot Online)
