Burri që synon të thyejë 100 rekorde botërore

  • S.A /
  • 27 shkurt 2021 - 08:01
Burri që synon të thyejë 100 rekorde botërore

Emri i tij është Ramkumar Sarangapani. Është nga India. Ka shumë talente – nga krijimi i gjësendeve të mëdha deri te mozaikët e ndryshëm. Me profesion është numizmatik, që përfshin studimin apo koleksionimin e monedhave e objekteve që lidhen me to.

41-vjeçari jeton në Dubai nga viti 2003 dhe ka punuar në shumë kompani ndërkombëtare para lansimit të një të tille më 2012.

Deri tash ka thyer rekorde vetëm për qejf, por po synon që të hyjë në histori me 100 rekorde botërore me emrin e tij. Ai aktualisht është lider në rajonin e Arabisë me 18 tituj bote.

Aktualisht mban rekorde për vathët më të mëdhenj të krijuar (dy metra), bankënotën më të madhe (29 metra katrorë), skulpturën më të madhe me magnet (75 centimetra), por edhe për letrat e bixhozit më të voglat ndonjëherë.

“Kam certifikatat e vendosura në të gjitha muret e zyrës sime”, ka thënë Ramkumar. “Njëri mur nuk ka më fare hapësirë”.

Kur nisi dëshira e tij për rekorde?

Më 2017, një nga miqtë e tij nxiti Ramkumarin duke thënë se vetëm “supernjerëzit” mund t’ia dalin të hyjnë në Librin e Rekordeve.

“Gjëja e parë që ndodhi më pas, aplikova për pesë rekorde. Ishte shtatori i 2017-s, kur mora titullin e parë dhe isha i fascinuar me njohjen që mora. Andaj vendosa të thyej nga një rekord çdo muaj, deri arrita në pesë”, ka deklaruar ai për faqen e Guinnessit.

Për një kohë ai u ndal nga thyerja e rekordeve, por kur izolimi për shkak të pandemisë u urdhërua në gjithë botën, ai pati kohë për pasionin e tij. Në fakt, ai theu 14 rekorde botërore vetëm më 2020.

“Njëqind është numër i mrekullueshëm, apo jo? Është dëshira ime e re. Dua të thyej rekorde, më sjell kënaqësi në jetë”, ka deklaruar ai.

Deri në mars ai synon të arrijë në 25 rekorde botërore.

(Kosova Sot Online )