Ish-ministri Endrit Shala dënohet me dy vjet burg

  • A.P /
  • 15 June 2026 - 14:34
Ish-ministri Endrit Shala dënohet me dy vjet burg

Endrit Shala, ish-Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Ramush Haradinajt nga radhët e Nismës Socialdemokrate, është dënuar të hënën me dy vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Shalës iu është ricilësuar vepra nga “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” në “Konflikt interesi”, për çka edhe u dënua.

Aktgjykimi u shpall nga Kryetarja e Trupit Gjykues, Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët e tjerë: Medie Bytyqi dhe Kujtim Krasniqi.

Dënimi me burgim për Shalën, i cili nuk mori pjesë në seancën ku u mor vendimi dënues, do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë. Ndaj këtij vendimit, palët kanë të drejtë ankese 30 ditë.

Shala akuzohej nga organi i akuzës se i ka bërë favor baxhanakut, duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm të mbi 700 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Endrit Shala akuzohej se në cilësinë e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, me dashje dhe dijeni, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare në mënyrë që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër, raporton Betimi për Drejtësi.

Në aktakuzë thuhet se duke i anashkaluar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka nënshkruar, përkatësisht miratuar vendimin me të cilin operatori ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S. Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, të cilin sipas aktakuzës, Shala e ka baxhanak.

Me këtë veprim, thuhet se i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të Teneqes, realizimin e dobisë pasurore në lartësi 732 mijë e 642 euro e 28 centë.

Për këto veprime, Shala ngarkohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal.

Për këtë rast akuzohet edhe ish-Ministri Vesel Krasniqi, por seanca e 1 dhjetorit 2025 kishte dështuar në mungesë të Shalës.

Shala ka qenë Ministër i Tregtisë dhe Industrisë në periudhën 2018-2020, në kohën kur Kryeministër ishte Ramush Haradinaj.

(Kosova Sot Online)