Itali, në disa rajone spitalet e tejmbushura, fundjavat do mbyllen në gjithë vendin

  • A.P /
  • 10 March 2021 - 23:35
Itali, në disa rajone spitalet e tejmbushura, fundjavat do mbyllen në gjithë vendin

Janë më shumë se 22 mijë të infektuarit e sotëm në Itali, në rritje të vazhdueshme prej disa ditësh, ndërkohë, viktimat janë 332 në krahasim me 376 të 24 orëve më parë.

Lombardia mbetet rajoni më i goditur me 4422 raste, i ndjekur nga Kampania në rritje të shpejtë me 3034 raste, por nuk mbeten pas Emilja Romanja dhe Piemonte.

Pikërisht në këtë rajon, autoritetet mjekësore i kanë bërë apel qeverisë të mendojë fillimin e një periudhë karantine të plotë, dhe kanë deklaruar se tashmë strukturat spitalore janë pothuajse në kolaps dhe mund të mos pranojnë më pacientë me sëmundje të tjera.

Qeveria ndërkohë është orientuar të mbyllë sërish bar edhe restorante në të gjithë territorin gjatë fundjavave, aty ku regjistrohen edhe grumbullimet më të theksuara.

Lajme më të mira vijnë sot nga fronti i vaksinave, sot Italia ka filluar prenotimet për personat mbi 70 vjeç, ndërkohë që vendi do marrë edhe 500 mijë doza të reja ditët në vijim, nga Bashkimi Europian.

Një studim mbi reaksionin e vaksinave ndaj personave ka evidentuar ndërkohë që në mbi 4 milionë e 118 mijë vaksina,  vetëm 35 mijë kanë patur një reaksion, dhe prej tyre 93% në limitet e normalitetit.

(Kosova Sot Online)