Ky shtet pajiset me pasaportën e udhëtimit Covid

  • G.G /
  • 11 March 2021 - 12:36
Ky shtet pajiset me pasaportën e udhëtimit Covid

Kina u bë këtë javë shteti i parë me një pasaportë për udhëtimet jashtë vendit në kushtet e pandemisë.

Mbi 1 miliard e 400 mijë kinezë disponojnë tani një certifikatë virtuale shëndeti e cila tregon historikun e tyre për sa i përket infektimit nga koronavirusi, testimin e fundit për antitrupat dhe vaksinat e marra.

Të dhënat e personit skanohen para fillimit të punës, në vendet publike ose para një udhëtimi me avion, me tren, madje edhe me taksi brenda territorit.

“Për Kinën, pasaporta e re e shëndetit është zgjatim i një sistemi që ata e përdorin përditë. Në vendet publike janë të detyrueshëm barkodi për gjendjen shëndetësore dhe aplikacioni i gjurmimit,” tha eksperti i ekonomisë dixhitale, Jean-Dominique Séval.

Kodi i shëndetit i një shtetasi kinez është i lidhur me numrin e tij të letërnjoftimit dhe celularit, ndaj përdoret për të gjurmuar edhe kontaktet e personit në rast të infektimit të mundshëm me Covid-19.

Kjo ka hapur edhe debatin për sa i përket rrezikut të mbikëqyrjes apo shkeljes së privatësisë, por ka qytetarë që e justifikojnë situatën.

“Personalisht mendoj se nuk ka vend për dyshime të tilla. Së pari duhet kontrolluar epidemia, pasi nuk mund të pretendosh jetë private kur i gjithë vendi po lufton një sëmundje ngjitëse,” tha punonjësi i  shëndetësisë, Zhen Cunmei

“Në fillim e pata të vështirë. Më parë hynim në vende lirisht, kurse tani duhet të tregojmë barkodin e shëndetit që kemi në celular,” tha Wu Tong.

Presidenti kinez, Shi Xhinping, u propozoi në nëntor vendeve të G20-ës që ta aplikojnë sistemin e barkodit për shëndetin në nivel botëror.

Certifikata e re shëndetësore që ka hyrë në fuqi në Kinë nuk njihet ende nga vendet e tjera.

(Kosova Sot Online)