Borë dhe shi edhe javën e ardhshme

  • S.A /
  • 13 mars 2021 - 07:43
Borë dhe shi edhe javën e ardhshme

Prishtina Weather ka njoftuar për motin që pritet të mbajë në vend gjatë fundjavës dhe ditëve të para të javës së ardhshme. Sipas PW’së, fundjava do të jetë me mot më të butë dhe priten edhe reshje lokale shiu. Ndërkohë, java e ardhshme do të jetë më e ftohtë me reshje shiu dhe bore. 12.03.2021 – Ciklone që do të kalojnë nga rajoni në ditët e fundjavës, do të kushtëzojnë mot me vransira të ndryshueshme ditëve të fundjavës, e ndërkohë masat e ngrohta ajrore që shtrihen nga Mesdheu rrisin temperaturat pak mbi vlera mesatare, duke mundësuar të kemi mot më të butë.

Nga dita e hënë, shtrirja e masave më të ftohta ajrore nga veriu i rajonit mbi vendin tonë, sjell rënie të temperaturave, e të reshurat e shiut do të përzien apo edhe shndërrohen në reshje bore, derisa në vise kodrinoro-malore priten vetëm reshje bore.  Edhe ditën e martë e mërkurë vendi ynë mbetet nën dominim të fushave të presionit të ulët dhe masave të ftohta ajrore, që do të mundësojnë të kemi mot të paqëndrueshëm, me vransira të ndryshueshme, e herë-herë me reshje shiu por edhe bore.

Sipas parashikimeve të fundit, depërtimet ciklonike nga Mesdheu në jug të rajonit, do të mundësojnë mot me vransira dhe të reshura edhe në pjesën e dytë të javës së ardhshme, e ka gjasa që të ketë edhe reshje bore, të cilat mund të krijojnë edhe shtresë dëbore.

Erërat që pritet të fryjnë në ditët në vijëm, do të mbajnë ndotësit ajror më të shpërndarë, gjë që nidkon në përmirësim të cilësisë së ajrit, ku indeksi mbetet më gjatë në vlera mesatare dhe të pranueshme.  Vetëm në raste të periudhave të qetësisë, kryesisht në mbrëmje cilësia e ajrit përkeqësohet edhe në vlera të dobëta.

13.03 – Mot më i butë, kryesisht me vransira.  Në perëndim të vendit me reshje të dobëta shiu, e pasdite reshje lokale mund të priten edhe në pjesët tjera të vendit.  Në mbrëmje kthjellime.

14.03 – Mot i butë.  Fillimisht kthjellime, e përgjatë ultësirave mundësi për mjegull/mjegullinë.  Ditën zhvillime të vransirave lokale, që ka gjasa të shoqërohen edhe me ndonjë rrebesh të dobët shiu, e me mundësi edhe për ndonjë bubullimë. 

15.03 – Ftohtë.  Kryesisht vranët dhe me të reshura shiu, që orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes nga rrafshi i Kosovës do të përzien apo shndërrohen edhe në borë.  Në vise kodrinoro-malore reshje bore.

16.03 – Ftohtë, kryesisht me vransira dhe erë, e pasdite me mundësi edhe për riga lokale shiu.

17.03 – Ftohtë, me vransira dhe intervale me diell.  Mundësi edhe për reshje lokale shiu dhe bore.

Temperaturat ditëve të fundjavës në rritje, e nga dita e hënë në rënie.  Në fundjavë minimalet rriten deri në 2C, e më pas zbresin edhe deri në -2C.  Ndërsa maksimalet në fundjavë rriten deri në 15C, e të hënën zbresin në 5C, e të mërkurën edhe në 4C.

Do të fryj erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme nga jugperëndimi 5-14m/s gjatë fundjavës, e gjatë javës së ardhshme nga krahu verior 4-15m/s. Shtypja atmosferike me tendencë të rënies nën vlera normale.

Image

(Kosova Sot Online )