Kosova nuk heq dorë nga vaksina e AstraZeneca, shtetet tjera e pezullojnë atë

  • A.P /
  • 15 March 2021 - 17:13
Kosova nuk heq dorë nga vaksina e AstraZeneca, shtetet tjera e pezullojnë atë

Edhe pas dyshimeve të ngritura se vaksina anti-COVID e AstraZeneca ka ndikuar në trashjen serioze të gjakut te disa persona, Kosova nuk ka pezulluar përdorimin e saj. Vendi për dallim nga disa shtete tjera, po pret furnizimin me këtë vaksinë dhe fillimin e vaksinimit të popullsisë me të.

Qeveria e Kosovës nuk ka hequr dorë nga përdorimi i vaksinës AstraZeneca, përkundër dyshimeve për trashje të gjakut te disa persona.

Tashmë disa shtete, përfshirë këtu Irlandën, Danimarkën, Norvegjinë, Bullgarinë, Tajlandën e Italinë,  kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine pas rritjes së shqetësimit për sigurinë e saj

Megjithatë, vendi po pret furnizimin me vaksinat e AstraZeneca nga COVAX.

Derisa Kosova nuk ka marrë ende asnjë dozë të vaksinës anti-COVID, dozat e para që do të vijnë do të jenë po ato të AstraZenecas.

Nga COVAX kanë premtuar se do ta furnizojnë Kosovën deri në majë me 100 mijë e 800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ndërsa, përkundër dyshimeve të ngritura, vendi nuk po i bashkëngjitet shteteve tjera për pezullimin e vaksinës.

Zëdhënës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë, se institucionet shëndetësore të Kosovës ndjekin rekomandimet që nxjerr Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet përgjegjëse ndërkombëtare rregullatore për vaksinat.

Nga kjo ministri kanë deklaruar se do të veprohet sipas rekomandimeve të këtyre autoriteteve.

“Institucionet shëndetësore të Kosovës ndjekin rekomandimet që nxjerr OBSh dhe autoritetet përgjegjëse ndërkombëtare rregullatore për vaksinat (EMA dhe FDA), sipas të dhënave që ata i kanë nga Komitetet e tyre të farmokovigjilencës, bazuar në dëshmitë shkencore dhe në të dhënat për vaksinat e administruara deri tash, përfshirë edhe vaksinat e AstraZeneca. Pra, veprohet sipas rekomandimeve të këtyre autoriteteve”, është thënë nga MSH.

Ndërsa, zëdhënës në Aleancën e Vaksinave “Gavi”, kanë thënë se vaksinaOxford / AstraZeneca COVID-19 ka marrë Listën e Përdorimit të Urgjencës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe është aprovuar për përdorim emergjent nga një numër autoritetesh rregullatore.

Nga kjo aleancë është thënë se OBSH’ja është duke e monitoruar nga afër situatën dhe se do t’i ndjekin udhëzimet e saj.

“Vaksina Oxford / AstraZeneca COVID-19 ka marrë Listën e Përdorimit të Urgjencës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe është aprovuar për përdorim emergjent nga një numër autoritetesh rregullatore. Ne e dimë që autoritetet kombëtare dhe OBSH-ja po monitorojnë nga afër situatën dhe ne do të ndjekim udhëzimet dhe rekomandimet e tyre”, është thënë për gazetën.

Ndërsa, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë ditë më parë se po shqyrtojnë më shumë kujdes raportimet e fundit për vaksinën e AstraZenecas.

Ai ka deklaruar se Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë se nuk ka prova për një lidhje mes vaksinës dhe mpiksjeve të gjakut dhe se vaksina mund të vazhdojë të përdoret, por hetimet do të vazhdojnë.

Përndryshe, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur ditë më parë se për disa ditë do të vijnë furnizimet e para me vaksina anti-COVID dhe për këtë është bërë strategjia e imunizimit, janë identifikuar edhe personat, grupmoshat e caktuara që do të imunizohen qysh në fillim.

Gjatë këtij muaji, pritet që vendi të furnizohet me 33 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.

Ata që do të vaksinohen të parët me këto vaksina do të jenë punëtorët shëndetësor, personat e moshuar mbi 80 vjeç dhe të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje kronike.

Ndërsa, kujtojmë që derisa disa shtete kanë pezulluar furnizimin me vaksina të kompanisë AstraZeneca, kjo e fundit ka reaguar sot.

Nga kjo kompani është thënë se nuk ka prova që vaksina e saj shkakton mpiksje gjaku.

(Kosova Sot Online)