Ky është dekreti i Thaçit për Ambasadën në Izrael

  • A.P /
  • 15 March 2021 - 16:27
Ky është dekreti i Thaçit për Ambasadën në Izrael

Ambasada e Kosovës në Izrael është përuruar sot. Ajo është vendosur në Jerusalem, statusi i të cilit është një nga pengesat më të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Izraelit dhe Palestinës. Për vendosjen e ambasadës në shtetin e Izraelit ishte lëshuar një dekret nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por në të nuk specifikohej qyteti ku do të vendosej misioni i parë diplomatik i Kosovës në këtë shtet.

Në dekretin e nënshkruar nga Thaçi më 27 tetor 2020, thuhet se “Themelohet misioni diplomatik i Republikës së Kosovës, në nivel të Ambasadës në Shtetin e Izraelit”.

Pika dy e këtij dekreti thotë se “Udhëzohet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Dekreti”.

Kosova dje e ka hapur edhe zyrtarisht ambasadën në Jerusalem. Ky vendim i mbështetur nga SHBA-ja është kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe Turqia.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar dje se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izraeli me seli në Jerusalem, si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington në shtator të vitit që shkoi.

Statusi i Jerusalemit është një nga pengesat më të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Izraelit dhe Palestinës.

Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe vendet arabe ishin alarmuar nga vendimi i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump për ta zhvendosur Ambasadën amerikane në Jeruzalem.

Franca refuzoi vendimin të cilin e kishte quajtur “të njëanshëm” ndërsa bëri thirrje për qetësi në rajon. Britania e bëri të njëjtën. Gjermania tha se statusi i Jerusalemit mund të zgjidhet vetëm në bazë të një zgjidhjeje midis dy shteteve.

Vendimi i Trump la prapa paralajmërimet nga e gjithë bota se ky akt do të rrezikonte përkeqësimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Statusi i Jerusalemit është shtëpia e vendeve të shenjta për besimet myslimane, hebraike dhe të krishtera. Palestinezët pretendojnë Jerualemin Lindor për kryeqytet, ndërsa Izraeli e konsideron Jerusalemin kryeqytetin e tij të përjetshëm dhe të pandashëm, që daton nga antikiteti.

Duke ngritur ambasadën e saj në Jerusalem, duke ndjekur shembullin e SHBA-së dhe Guatemalës, Kosova është bërë një nga tri vendet e vetme me ambasada në këtë qytet, pas SHBA-së dhe Guatemalës. Kosova është vendi i parë evropian që ndërmerr këtë hap, që ka edhe mbështetjen e plotë të administratës së re të Joe Biden. 


(Kosova Sot Online)