Motra e Kimit kërcënon ShBA-në: Nëse doni të flini të qetë…

  • E.K /
  • 16 March 2021 - 11:13
 Motra e Kimit kërcënon ShBA-në: Nëse doni të flini të qetë…

Motra e liderit Kim Jong-un të Koresë Veriore, Kim Yo Jong, i kritikoi ushtrimet e vazhdueshme ushtarake në Korenë Jugore dhe e paralajmëroi administratën e re amerikane që, siç tha ajo, të mos shkaktojë erë të keqe, nëse dëshiron paqe, raportuan mediet shtetërore.

Deklarata e gruas me ndikim të madh në shtetin e largët komunist erdhi një ditë para arritjes së kryediplomatit amerikan dhe shefit amerikan të mbrojtjes në Korenë Jugore, ku pritet të zhvillojnë bisedime me homologët e tyre.

“E shfrytëzojmë këtë mundësi që ta paralajmërojmë administratën e re të ShBA-së që po përpiqet fort të prodhojë erë baruti në tokën tonë. Nëse ajo (ShBA-ja) dëshiron të fle e qetë gjatë katër viteve të ardhshme, i del më mirë që të përmbahet nga shkaktimi i erës së keqe në hapin e saj të parë” citohet të ketë thënë motra e Kim Jong-unit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, këtë javë do të udhëtojnë drejt Azisë për bisedime të politikës së jashtme dhe të sigurisë me aleatët në Japoni, Kore Jugore dhe në disa shtete të tjera, shkruan Reuters.

Koreja Veriore deri më tani i ka refuzuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për t’u angazhuar në dialog si pjesë e ftohjes së raporteve që filloi në kohën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Kim Jong-uni ka zhvilluar tri takime të nivelit të lartë me ish-presidentin Trump dhe ka shkëmbyer disa letra me të, por Koreja Veriore u dha fund bisedimeve dhe tha se nuk do të angazhohet më tej në këtë proces derisa Shtetet e Bashkuara të heqin dorë nga politikat e tyre armiqësore.

(Kosova Sot Online)