Gjermania pezullon vaksinën e AstraZeneca-s për të gjithë personat nën 60 vjeç

  • E.K /
  • 31 March 2021 - 10:20
 Gjermania pezullon vaksinën e AstraZeneca-s për të gjithë personat nën 60 vjeç

Gjermania do ta pezullojë vaksinën e kompanisë AstraZeneca për personat nën moshën 60-vjeçare për shkak të rrezikut nga një lloj i rrallë i mpiksjes së gjakut.

Rregullatori gjermani i ilaçeve regjistroi 31 raste të një lloji të rrallë të mpiksjes së gjakut në rreth 2.7 milionë persona që e morën këtë vaksinë në Gjermani, shkruan BBC.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, dhe 16 ministrat rajonalë të kësaj fushe vendosën që ta pezullojnë përdorimin e kësaj vaksine për personat nën moshën 60-vjeçare gjatë një takimi emergjent të martën.

Vendimi u mor me këshillën e Komisionit Gjerman të Vaksinave, Stiko, i cili tha: “Pas disa konsultimeve, Stiko, me ndihmën e ekspertëve të jashtëm, vendosi me shumicë votash që ta rekomandojë vaksinën e AstraZeneca-s për Covid-19 vetëm për personat 60-vjeçarë ose më të vjetër në bazë të të dhënave të tanishme për paraqitjen e efektit anësor të rrallë por shumë të ashpër tromboembolik.”

Më herët, Kanadaja gjithashtu e pezulloi këtë vaksinë për personat nën moshën 55-vjeçare. AstraZeneca ka thënë se rregullatorët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se përfitimet e vaksinës ua marrin anën rreziqeve.

Vaksina e AstraZeneca-s është në mesin e vaksinave më të përdorura në Perëndim dhe është pjesë e programit COVAX për furnizimin e vendeve të varfra me vaksina për Covid-19.

(Kosova Sot Online)