Pa e tërhequr projektligjin LVV, LDK nuk merr pjesë në seancën për presidenten

  • A.P /
  • 02 April 2021 - 23:05
Pa e tërhequr projektligjin LVV, LDK nuk merr pjesë në seancën për presidenten

Lidhja Demokratike e Kosovës unanimisht është shprehur kundër Projektligjit të propozuar të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilës i dha zë kryeministri Albin Kurti në Kuvend, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, e cila ndër të tjera parasheh edhe mundësinë e votimit të mërgatës nga konsullatat dhe ambasadat përkatëse.

Pas dërgimit të propozimit të VV’së në Komisionin Legjislativ të Kuvendit të Kosovës, kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku paralajmëroi konferencë. Në këtë konferencë, Abdixhiku la të nënkuptohet se përfaqësues të partisë së tij në Kuvend nuk do të paraqiten në seancën për votimin e presidentit, në rast se nuk tërhiqet nga ky projektligj Kurti.

“Me veprimet e sotme kanë përjashtuar nga projektligji opozitën nga një proces reformimi, projektligj ky i cili duhet të ishte rezultat i bashkëpunimit me ta. Veprimet e sotme janë me qëllime të shantazhimit, të opozitës së vendit, ajo shumicë ka kuptuar se nuk mund të përballen me pandeminë dhe gjendjen ekonomike në vend. Sot Kurti u porpoq të shantazhojë me shkuarjen në zgjedhje”, deklaroi ai.

Megjithatë, paralajmërimi i Abdixhikut u kundërshtua nga VV pasi kjo e fundit thirri seancë nga ora 21:30.

Pakënaqësi të LDK’së, u shprehën edhe pas votimit me procedurë të përshpejtuar të këtij Projektligji, i cili dështoi së kaluari në Kuvend pasi 2/3-ta e deputetëve votuan kundër. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, në konferencë për media deklaroi se partia e tij nuk do të marrin pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit.

“Ne nuk marrim pjesë në seancë pa u tërhequr ligji”, u shpreh shkurtazi shefi i deputetëve të LDK’së

“Nëpërmjet arrogancës së numrave u tentua të imponohen shantazhe dhe kërcënime. Ne jemi këtu për të mbrojtur shtetin dhe rendin kushtetues. Vetëvendosje dhe kryetari i saj kërcënoi secilin deputet dhe qytetar të Kosovës duke ia imponuar mendësinë e tij totalitare”, ka thënë Gashi tutje, pas votimit.

Përgjatë ditës së nesërme, pritet të thirret seanca për presidentin, në të cilën në votim të parë do të nevojitet të jenë prezent 80 deputetë në sallë. 

(Kosova Sot Online)