Amerika është në pritje të verdiktit për vrasjen e George Floyd

  • A.P /
  • 19 April 2021 - 21:33
Amerika është në pritje të verdiktit për vrasjen e George Floyd

Amerika është në pritje të verdiktit për ish-policin, Derek Shouvin, i akuzuar për vrasjen e afroamerikanit, George Floyd.

Për tri javë, pala akuzuese solli dëshmitarë dhe ekspertë që treguan se 46-vjeçari ishte viktimë e dhunës së tepruar policore, e cila kulmoi me presionin për 9 minuta me radhë mbi organet respiratore të afro-amerikanit.

Pala mbrojtëse me ekspertët e vet pretendon se Floyd ishte përdorues i ilaçeve të forta dhe se në vdekjen e tij kontribuan ato dhe faktorë si gazrat e lëshuar nga makina e policisë gjatë arrestimit.

Ish-oficeri Shouvin rrezikon 40 vite burg për akuzën e vrasjes.

Teksa gjyqit i vjen fundi, qyteti i Mineapolisit ku ndodhi ngjarja majin e kaluar po përgatitet edhe për protesta të mundshme nëse policët e pandehur do të faleshin nga anëtarët e jurisë.

“Sigurisht që shpresoj që të dënohen, por nuk mendoj se do të ndodhë. Edhe qyteti në njëfarë mënyre po përgatitet për këtë. Po izolohen fasadat e godinave, është mobilizuar Garda Ushtarake Kombëtare.”

“Edhe sikur atë që i bënë George Floyd, t’ia bënin një 20-vjeçari më në formë, personi do të vdiste patjetër. Shpresoj që ai të dënohet.”

Gjykatësi i çështjes ka paralajmëruar se procesi ndaj ish-policit Shouvin dhe kolegëve të tij do të zgjatë edhe pak teksa palët përgatiten të japin argumentet e fundit në favor dhe kundër tyre.

(Kosova Sot Online)