A po zbatohet marrëveshja e Uashingtonit?

  • A.P /
  • 29 April 2021 - 23:24
A po zbatohet marrëveshja e Uashingtonit?

Partia që gëzon pushtet të plotë, nuk po tregon nëse po zbatohen pikat e kësaj marrëveshjeje.

Ata që ndërmjetësuan Marrëveshjen e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë më në pushtet.

Megjithatë me këtë ujdi të nënshkruar më 4 shtator të 2020’ës, pajtohet edhe administrata aktuale në krye me Presidentin amerikan, Joe Biden.

Madje këta të fundit, përmes një qëndrimi të lëshuar së fundmi, kërkuan që dy vendet të punojnë për të zbatuar zotimet e tyre të nënshkruara në letër.

Por, partia që u rrëzua me mocion mosbesimi, ishte pajtuar vetëm me pikën e fundit të marrëveshjes.

Ata kishin kritikuar pikat e tjera, duke thënë se janë gabim dhe shkelin Kushtetutën e vendit.

Për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kreun e saj tani shef i ekzekutivit, ishte e papranueshme, sidomos pika 7 e marrëveshjes, ku Kosova dhe Serbia pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit.

Ndërsa tani partia që gëzon pushtet të plotë nuk po tregon, nëse po zbatohen edhe pikat e tjera të kësaj marrëveshjeje.

Ata që përcollën procesin e dialogut që nga fillimi i tij, thonë se nuk ka një raport të përditësuar të qeverisë në lidhje me atë se çfarë po ndodh në terren e që lidhen me pikat e marrëveshjes.

Për këtë sipas Haxhollit, Qeveria duhet të bëjë një skanim të zbatimit të këtyre marrëveshjeve, në mënyrë që të njëjtat t’i adresojë edhe në takimet që zhvillohen në Bruksel.

Muaj më parë Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem.
Kjo pasoi vetëm pak kohë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit më 1 shkurt 2021.

(Kosova Sot Online)