Kurti: Dëshmorët na bashkojnë, nuk ka më drejt se t’i mendosh të prehen nën monumentin e Nënës Shqipëri

  • A.P /
  • 05 May 2021 - 21:43
Kurti: Dëshmorët na bashkojnë, nuk ka më drejt se t’i mendosh të prehen nën monumentin e Nënës Shqipëri

Sot, me rastin e 5 Majit – Ditës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se dëshmorët janë mbartësit e historisë dhe dëshmitarët e një misioni.

Ai u shpreh se 5 maji i bashkon lufëtarët shqiptarë të të gjitha viseve dhe kohëve, që ranë për lirinë tonë të përbashkët.

“Dëshmorët na bashkojnë. Detyrën ndaj tyre do ta kemi kryer nëse një pjesë e ëndrrës së tyre gjendet e realizuar gjatë jetëve dhe veprimeve tona“, shkroi Kurti.

Postimi i plotë:

Dëshmorët janë mbartësit e historisë dhe dëshmitarët e një misioni. Dhe nuk ka më drejt se t’i mendosh të prehen nën monumentin e Nënës Shqipëri.

Nëse historia jonë e përmban dëshminë e tyre, ajo na dëfton prej nga vijmë. Nëse historia shkruhet sipas frymës që themeloi çdo herë akti i tyre, atëherë ne do të dijmë sigurisht se kah shkojmë.

5 maji i bashkon luftëtarët shqiptarë të të gjitha viseve dhe kohëve, që ranë për lirinë tonë të përbashkët. Dëshmorët na bashkojnë. Detyrën ndaj tyre do ta kemi kryer nëse një pjesë e ëndrrës së tyre gjendet e realizuar gjatë jetëve dhe veprimeve tona.

(Kosova Sot Online)