Reagim i Asociacionit të Psikologëve të Kosovës ndaj dukurive delikuente dhe agresive ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve

  • E.K /
  • 01 June 2021 - 12:13
 Reagim i Asociacionit të Psikologëve të Kosovës ndaj dukurive delikuente dhe agresive ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve

APKO shpreh shqetësimin lidhur me përshkallëzimin e gjendjes së rënduar të shëndetit mendor në Kosovë. Sjelljet e dhunshme dhe denigruese tek adoleshentët dhe fëmijët shpërfaqin alarm për shoqërinë tonë, në veçanti për  institucionet publike përgjegjëse për shëndetin publik dhe proceset edukativo-arsimore të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Për më tepër, shqetësuese është edhe forma e reagimit të akterëve relevantë duke përfshirë edhe mediet ndaj ngjarjeve të këtij lloji. Fatkeqësisht, trendi i shëndetit të rënduar mendor në Kosovë është në rritje. Pasqyra e tanishme e shëndetit mendor të popullatës është, ndër të tjera, pasojë e neglizhencës shumëvjeçare të çështjeve të shëndetit mendor në nivel nacional e lokal, në të gjitha institucionet duke filluar nga ato shëndetësore, sociale e deri tek ato edukativo-arsimore. 

Një sistem funksional dhe efikas i mbështetjes në fushën e shëndetit mendor kërkon identifikim dhe ofrim të shërbimeve adekuate dhe me kohë për të gjithë personat në nevojë. APKO konsideron se konsolidimi dhe përparimi i theksuar i shërbimeve të përkujdesjes së shëndetit mendor është nevojë e menjëhershme e shoqërisë sonë. Shërbimet duhet bazuar në vlerësim të thuktë të gjendjes aktuale të shëndetit mendor dhe nevojave eminente. Ky vlerësim duhet të jetë bazë për planifikim dhe organizim adekuat, si dhe intervenim në fushën e shëndetit mendor. Intervenime ad hoc, të momentit dhe të imponuara nga presioni publik nuk do të japin efektet e nevojshme dhe të domosdoshme në funksion të përmirësimit të shëndetit mendor të popullatës së Kosovës, me fokus tek adoleshentët dhe fëmijët.

Rrjedhimisht, APKO si trup përfaqësues i psikologëve profesionistë të vendit propozon:

Të themelohen dhe konsolidohen trupat profesionale të cilat ndihmojnë në menaxhimin e shpërfaqjeve të dukurive negative në fushën e shëndetit mendor, duke pëfshirë edhe ndikimin negativ të pandemisë COVID19 në shëndetin mendor të popullatës;

Të identifikohen boshllëqet në identifikimin dhe trajtimin adekuat të dukurive negative dhe sjelljeve delikuente të evidentuara kohëve të fundit;

Fuqizim i burimeve dhe strukturave menaxheriale dhe intervenuese në sistemin edukativ dhe arsimor, me një gjithëpërfshirje të trupave relevant vendimarrës dhe mekanizmave drejtues shkollor;

Vendimmarrja dhe politikëbërja të bazohet në praktika të dëshmuara dhe me bazë në të dhëna empirike. Konsultimet e profesionistëve të shëndetit mendor, si dhe të atyre pedagogjik dhe edukativ, të ndodhin në të gjitha fazat e identifikimit të gjendjes aktuale, planifikimeve dhe realizimit të intervenimeve;

Të shtohet konsiderueshëm numri i psikologëve shkollorë nëpër shkollat e gjithë vendit, ngaqë aktualisht numri i tyre nuk i mbërrin as standardet minimale.

Të krijohet platformë komunikuese, planifikuese dhe menaxhuese që do të sintetizoj angazhimet e profesionistëve të shëndetit mendor të përfshirë në procesin edukatovi-arsimor;

Të shtohen shërbimet psikologjike në nivel nacional, duke rritur numrin e të punësuarve të profesionistëve të shëndetit mendor nëpër institucione shëndetësore kudo nëpër Kosovë;

Të bëhet kujdes i veçantë dhe të shmanget dëmi në rastet kur trajtohen raste e sjelljeve agresive ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, sidomos lidhur me mbrojtjen e dinjitetit dhe identitetit të minorenëve të përfshirë në veprime delikuente;

Të përparohet sistemi mjekësor në ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor;

Që reagimi nacional në këtë situatë por edhe në linja afatgjata, të kanalizohet dhe strukturohet nëpër trupa profesioniste përfaqësues të psikologëve dhe shërbimeve tjera të higjienës mendore.

APKO mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha kapacitetet profesionale që shërbimet e shëndetit mendor të ndërtohen në premisa të kualitetit, gjithëpërfshirjes, identifikimit, parandalimit dhe intervenimit me kohë tek të gjitha rastet kur shpërfaqen sjelljet antisociale, delikuente apo që në çfaredo mënyre dëmtojnë shëndetin mendor të popullatës apo individit.

(Kosova Sot Online)