A do të obligohen që të vaksinohen edhe ata që nuk duan, Arben Vitia tregon se si do të veprohet me këta qytetarë

  • E.K /
  • 01 June 2021 - 11:46
 A do të obligohen që të vaksinohen edhe ata që nuk duan, Arben Vitia tregon se si do të veprohet me këta qytetarë

Shumë qytetarë, përfshirë këtu edhe një pjesë e punëtorëve shëndetësorë, kanë  hezituar që të vaksinohen kundër COVID-19.

Megjithatë, ata që nuk duan të vaksinohen nuk do të obligohen për ta bërë një gjë të tillë.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj, e ka pyetur sot ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia se çfarë do të bëhet me qytetarët që nuk duan të vaksinohen.

Ndërsa, Vitia, derisa e ka pohuar se ka pasur hezitim të qytetarëve dhe personelit shëndetësorë,  ka thënë se një javë para fillimit të vaksinimit masiv, do të fillojë një fushatë për vaksinim.

Ai është shprehur se ndonëse ka pasur hezitim nga qytetarët dhe personeli shëndetësorë, ai ka filluar të shuhet.

“7-8 ditë para fillimit të vaksinimit në masë ne kemi paraparë që të fillojë një fushatë për vaksinim. Deri tani ka pasur një hezitim edhe të qytetarëve edhe të personelit shëndetësorë. Besoj që kjo është duke u shuajtur”, ka deklaruar ai.

Vitia ka ftuar qytetarët që të marrin vaksinën, pasi që siç ka thënë ai, asnjë nga qytetarët e vaksinuar deri tani nuk ka pasur efekte anësore shqetësuese pasi janë vaksinuar.

“Vetëm vaksina mund të parandalojë përhapjen e virusit. Shfrytëzoj rastin që para Komisionit t’iu bëjë ftesë qytetarëve që të vaksinohen sepse vaksina nuk ka pasur efekte anësore shqetësuese te qytetarët që e kanë marrë vaksinën”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)