Procesi i Berlinit: Maas drejton sot konferencën e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 08:04
 Procesi i Berlinit: Maas drejton sot konferencën e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Nën drejtimin e ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, zhvillohet sot konferenca e ministrave te jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Këtë e bëri të ditur të hënën në Berlin, zëvendëszëdhënësja e ministrisë së punëve të jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse.

Konferenca ka për qëllim të parapërgatisë samitin e ardhshëm të krerëve të qeverive, i cili do të zhvillohet nën drejtimin e kancelares Angela Merkel në fillim të korrikut.​​

Sipas Sasses, veç ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të disa vendeve anëtare të BE-së, si edhe Komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Stefano Sannino.

Paradhomë  e Evropës

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014.  

Ai ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.

Procesi konsiderohet edhe si “paradhomë e BE-së”.  Pas Gjermanisë, si nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë deri tani Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgari/Maqedonia. Një nga arritjet e deritanishme të prorcesit të Berlinit është miratimi i planit për tregun e  përbashkët rajonal dhe afrimi i të rinjve nëpërmjet rrjetit RYCO (Regional Youth Cooperation Office).

 Megjithatë konfliktet e pazgjidhura ndërmjet shteteve në rajon kanë qenë pengesë e vazhdueshme për funksionimin si duhet të nismave të dala nga Procesi i Berlinit./dw/

(Kosova Sot Online)