Aplikacioni që zbuloi gënjeshtrën e bashkëshortit-vrasës

  • E.K /
  • 19 June 2021 - 15:41
 Aplikacioni që zbuloi gënjeshtrën e bashkëshortit-vrasës

Babis Anagnostopoulos, bashkëshorti i Calorine Crouch, gruas britanike të vrarë në Greqi, u tha policëve se kishte ndërmend edhe ta fshihte trupin e saj pas vrasjes, por nuk ia kishte dalë dot. “Qaja sapo e shihja trupin e saj”, citohet të ketë thënë piloti i helikopterëve para policisë.

Më pas ai thuri planin e dytë, që të fajësonte të tjerë për vrasjen e partneres së tij, e cila më vonë u zbulua se donte të ndahej prej tij. Për javë me radhë efektivët e policisë kërkuan për një bandë imagjinare me shqiptarë që kishin hyrë, sipas Anagnostopoulos, në banesën e tyre në Greqi, për t’iu grabitur.

Por pasi ekzaminoi telefonat e të dyve, policia arriti në përfundimin se 33-vjeçari po i gënjente. Një aplikacion për matjen e hapave, i instaluar në celularin e tij, tregonte që në minutat kur Babis pretendonte se ishte lidhur nga grabitësit dhe i ishin mbyllur edhe sytë, në fakt ishte duke lëvizur lartë e poshtë nëpër apartament. Gjithashtu, ora biometrike që Caroline mbante tregonte se zemra e saj kishte pushuar së rrahuri disa për para se koha kur bashkëshorti i saj pretendonte se kishte ndodhur grabitja. Për më tepër, ai ishte përpjekur edhe të fshinte një pjesë të pamjeve të kapura nga kamera e sigurisë e instaluar në banesë.

Nga hetimet e mjekëve rezultoi se britanikja kishte luftuar për jetën e saj para se të mbytej me jastëk nga bashkëshorti. Policia greke e përshkruan Anagnostopoulos si “aktor me klas”, pasi arriti t’i mashtronte për 38 ditë, para se të thyhej pas marrjes në pyetje për 8 orë rresht.

(Kosova Sot Online)