Ja pse Holanda po e kundërshon liberalizimin e vizave për kosovarët

  • G.G /
  • 06 July 2021 - 13:27
Ja pse Holanda po e kundërshon liberalizimin e vizave për kosovarët

Kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave janë përmbushur nga Kosova.

Por, ka edhe nga ato shtete të BE-së që nuk mendojnë kësisoj. Në mesin e vendeve që heziton të votojë pro heqjes së vizave është Holanda.

Ky vend e arsyeton mospërkrahjen e procesit të heqjes së vizave për kosovarët me faktin se lufta e Kosovës kundër nivelit të lartë të korrupsionit nuk ishte mjaft bindëse.

Për këtë qëndrim të Holandës në detaje ka folur ekskluzivisht për Klankosova.tv, edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi, Tessa Van Staden.

“Këshilli i Bashkimit Evropian vendos për liberalizimin e vizave për Kosovën. Deri më tani, nuk ka mbështetje të mjaftueshme për liberalizimin e vizave këtë këshill. Siç e dini, liberalizimi i vizave është një proces teknik, i drejtuar nga standardet, në të cilin një vend duhet të përmbushë të gjitha ato në një mënyrë të qëndrueshme përpara se Këshilli të vendosë t’i heqë vizat. Kur Komisioni Evropian raportoi për herë të fundit për këtë, Holanda arriti në përfundimin se konkluzionet e Komisionit mbi historikun e Kosovës në luftën kundër nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk ishin mjaft bindëse”.

Van Staden thekson se Holanda është e inkurajuar nga planet e Qeverisë së Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ajo shtoi se e rëndësishme për shtetin holandez nuk është vetëm që korrupsioni i nivelit të lartë të ndiqet penalisht, por edhe të zbatohen në mënyrë efektive dënimet e atyre që janë përgjegjës.

“Ne jemi të inkurajuar nga planet e qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe po presim me padurim rezultatet. Për Holandën është e rëndësishme që jo vetëm korrupsioni i nivelit të lartë të ndiqet penalisht, por gjithashtu të zbatohen në mënyrë efektive dënimet e atyre që janë përgjegjës. Kjo u nënvizua gjithashtu në Raportin e Progresit të vitit 2020 nga Komisioni Evropian. Është e rëndësishme që të rritet efikasiteti i sektorit gjyqësor dhe të zbatimit të ligjit. Duhet të ndodh një përmirësim strukturor për një periudhë më të gjatë kohore. Kosova mund të llogarisë në mbështetjen tonë përmes projekteve, këshillave dhe ekspertëve për të arritur këto rezultate të qëndrueshme”.

(Kosova Sot Online)