Dalin pamjet, Papa Françesku del nga spitali pas operacionit

  • G.G /
  • 14 July 2021 - 13:29
Dalin pamjet, Papa Françesku del nga spitali pas operacionit

Papa Françesku u kthye në Vatikan të mërkurën, 11 ditë pasi iu nënshtrua një operacioni në një spital të Romës për të hequr një pjesë të zorrës së trashë.

Një burim i Vatikanit tha se para se të kthehej në Vatikan, Papa u ndal për t’u lutur në Basilikën e Shën Marisë në Romë, shkruan Reuters.

Papës 84-vjeçar iu largua një pjesë e zorrës së trashë më 4 korrik. Të dielën, ai e bëri paraqitjen e parë publike pas operacionit, duke qëndruar rreth dhjetë minuta përderisa fliste nga ballkoni i ndërtesës ku banon.

Vatikani publikoi disa fotografi të Papës gjatë një vizite që e realizoi në një repart për trajtimin e kancerit te fëmijët, ku shihej në gjendje të mirë shëndetësore.

Ai nuk ka ndonjë angazhim tjetër për pjesën e mbetur të këtij muaji, përpos bekimit të së dielës, ndonëse Vatikani po i vazhdon planet për një vizitë të Papës në Sllovaki dhe në Hungari në mesin e shtatorit.

(Kosova Sot Online)