Shoferi i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin në Kroaci po qëndron në stacionin e Policisë

  • A.P /
  • 25 korrik 2021 - 11:59
Shoferi i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin në Kroaci po qëndron në stacionin e Policisë

Shoferi i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin tragjik ku vdiqën 10 persona në Kroaci, po qëndron në stacion të Policisë.

Drejtori i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut e dha këtë informacion, duke treguar paraprakisht për detajet e aksidentit dhe gjendjen e atyre që po trajtohen në spitalin rajonal në Slavonski Brod.

“14 pasagjerë dhe një shofer janë në stacionin e Policisë, në pritje për t’u akomoduar në një strukturë të siguruar nga qarku”, tha Trut.

Ai tha se autobusi kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq së bashku me 9 udhëtarë.

“Kishte 67 pasagjerë dhe 2 shoferë në autobus. Për fat të keq, 9 pasagjerë dhe një shofer u vranë”, tha Trut.

Ai tha se në mesin e pasagjerëve në autobus kishte edhe fëmijë, ndërsa nuk tregoi nëse edhe në mesin e 10 të vdekurve ka fëmijë.

“44 pasagjerë u pranuan në spital në Slavonski Brod. Tetë prej tyre u plagosën rëndë, katër u operuan”, tha Trut.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore paraprakisht. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Mes të vdekurve është shoferi ‘tjetër’, i cili nuk po e voziste autobusin në atë kohë.


(Kosova Sot Online)