Shënohet viktima e parë nga zjarret në Shqipëri, Ministri i Mbrojtjes bën thirrje për dalje nga shtëpitë

  • A.P /
  • 03 August 2021 - 19:35
Shënohet viktima e parë nga zjarret në Shqipëri, Ministri i Mbrojtjes bën thirrje për dalje nga shtëpitë

Është shënuar viktima e parë si pasojë e zjarreve në Shqipëri. Mësohet se 60-vjeçari Andrea Haxhiaj ka ndërruar jetë pas zjarrit që ka përfshirë fshatin “Asim Zeneli” në zonën e Lunxherisë në Gjirokastër.

Mësohet se 60-vjeçari u dërgua në spital së bashku me bashkëshorten e tij, ndërsa pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë, i lënduar ka mbetur edhe një tjetër person.

Peleshi, thirrje banorëve: Dilni sa më parë nga banesat

Edhe njëherë tjetër, ministri i Mbrojtjes u ka bërë thirrje banorëve të fshatrave Krine, Asim Zenel dhe Arshi Lengo në Gjirokastër që të bashkëpunojnë me autoritetet për t’u evakuuar.

Peleshi ka konfirmuar se një person ka humbur jetën si pasojë e zjarrit, ndërsa ka theksuar se situata është e vështirë. Peleshi u shpreh se të gjitha forcat do të përqendrohen në këtë zonë.

“Situata është shumë e vështirë, me vatra zjarri të lokalizuara në zona të ndryshme. Duhet të kryejmë evakuim në këtë tre fshatra. Ju bëj thirrje banorëve të dalin sa më shpejt nga banesat. Ne do të bëjmë më të mirën me të gjitha forcat që kemi këtu dhe me forcat ajrore. Të gjitha forcat do të përqendrohen këtu. Ju lutem banorëve të bashkëpunojnë me policisë, të dalin nga banesat”, u shpreh Peleshi.

(Kosova Sot Online)