Kosova pa ushtarë në luftë me zjarret

  • A.P /
  • 03 August 2021 - 18:33
Kosova pa ushtarë në luftë me zjarret

Nga e shtuna, Kosova është duke u përballur me zjarre në pyje e fusha. Disa me intensitet të ulët e disa me intensitet më të lartë, kanë shkaktuar dëme në natyrë, teksa nuk është raportuar ndonjë rast i dëmit te njerëzit. Nga institucionet është bërë thirrje tek qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos ndezin zjarre në ambientet e jashtme.

Sipas Tahir Ahmetit, njohës i emergjencave, në shumicën e rasteve faktori njeri është shkaktari kryesor i përhapjes së zjarreve.

“Në shumicën e rasteve faktori njeri është shkaktari kryesor, marrë parasysh po ashtu se temperaturat e larta që kanë ndikim në tharjen e drunjve dhe bimëve. Këto zjarre po shkaktohen qoftë nga pakujdesia apo edhe nga ndezja e qëllimshme e pronareve te tokave, duke djeg hamulloret dhe pastaj zjarret po përhapen edhe ne pyjet përreth. Një pakujdesi e vogël, qoftë ajo edhe krejtësisht e paqëllimshme, mund të shkaktojë dëme të mëdha në pyje, në toka bujqësore dhe në ambientin në përgjithësi”, deklaroi ai.

E për të mos ardhur deri tek përhapja masive e zjarreve në vend, Tahiri tha se duhet që më kohë të bëhen përgatitje për parandalimin e zjarreve fushore dhe pyjore. 

“Institucionet përgjegjëse emergjente në Kosovë, duhet bërë me kohë përgatitjet e nevojshme për parandalimin e zjarreve fushore dhe pyjore, duke filluar nga përgatitja dhe mobilizimi i stafit e deri tek sensibilizimi dhe vetëdijesimi i qytetarëve për rrezikun nga zjarret pyjore. Gjithashtu drejtorit komunale te emergjencave duhet që të kenë planet e veprimet strategjik.  Plani i menaxhimit duhet të jetë i detajuar dhe të përfshijë të gjitha veprimet e planifikuara sipas prioriteteve për parandalimin, shuarjen dhe kontrollin e zjarreve”, tha ai.

Ahmeti përmendi edhe disa nga pikat që sipas tij duhet që t’i përmbajë ky plan.

“Plani i parandalimit të zjarrit duhet të bazohet në: a) Parandalimin e shkaktimit të zjarrit nga personat, pra në koordinim me rojet e pyjeve si dhe policin e Kosovës, të mundohen sa me shumë që të ruajnë pyjet nga inicimi i ndonjë zjarri nga personat e papërgjegjshëm. b) Analizën e rreziqeve për rënien e zjarrit. Secila komunë e din se cilat vatra janë më të rrezikuara nga këto zjarre, andaj duhet që në ato vende të fokusohen për parandalimin apo zvogëlimin e mundësive të zjarreve. c) Edukimin/sensibilizimin e qytetarëve dhe komunitetit, për pasojat e shkaktuara nga këto zjarre, si dhe duke paralajmëruar qytetarët për sanksionet ndëshkuese nga shkaktimi  i zjarreve të qëllimshme. Duke u bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, inicimi i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm është vepër penale dhe sanksionohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet”, deklaroi më tutje ai.

Ai përmendi shqetësimin që Kosova ka kapacitete të vogla njerëzore dhe mungesë të zjarrfikësve.

“Kapacitetet e Kosovës sidomos të resurseve njerëzore janë mjaft të vogla, thuajse të gjitha stacionet e zjarrfikësve kanë mungesë të theksuar të stafit. Edhe mjetet dhe pajisjet e këtyre njësiteve të zjarrfikësve janë larg standardeve ndërkombëtare që e bënë edhe më të vështirë menaxhimin e këtyre zjarreve. Gjithashtu duhet cekur që në rast nevoje për intervenim për shuarje të zjarrit nga ajri në vendet e pa qasshme të makinave të zjarrfikësve, Kosova nuk e ka as një helikopter që  përdoret në situata të tilla”, tha më tutje ai.

E për numrin e vogël të zjarrfikësve kanë folur edhe nga Sindikata e Zjarrfikësve. Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka tha se me evidencë Kosova i ka 888 zjarrfikës, teksa shtoi se së fundmi janë angazhuar edhe rreth 600 të tjerë.

“Kosova sipas evidencës ka pasur 888 zjarrfikës. së fundmi janë pranuar përafërsisht 600 zjarrfikës dhe inspektorë të parandalimit për përhapjen e zjarrit. Ky nuk është numër i mjaftueshëm dhe nuk është as minimumi. Është një numër jashtëzakonisht i vogël dhe nuk e plotëson asnjë kriter e as standardet as në rajon e as në Evropë. Ka komunë që i ka vetëm 3 zjarrfikës e që është një numër shumë i vogël”, ka thënë Beka

Ai u ankua edhe mungesën e kapaciteteve materiale për luftimin dhe parandalimin e zjarreve.,

“Të gjitha mungojnë. Kur është numër i vogël i personelit atëherë mungojnë edhe kapacitete materiale. Mungojnë makinat për nevojiten për parandalimin për zjarre fushore e malore. Rreth 80% e kapaciteteve janë për zjarre malore e fushore”, tha ai.

(Kosova Sot Online)