Gjoshi e komenton pakënqësinë e Besa Ismailit me kryesinë e re të PDK’së

  • A.P /
  • 13 August 2021 - 00:00
Gjoshi e komenton pakënqësinë e Besa Ismailit me kryesinë e re të PDK’së

Anëtari i kryesisë së PDK’së, Betim Gjoshi, e ka komentuar reagimin e ish-deputetes së këtij subjekti politik, Besa Ismailit, pas zgjedhjes së kryesisë së re.

Gjoshi, ka thënë se ndoshta në momentet kur e ka bërë reagimin nuk është ndjerë e vlerësuar sa duhet.

“Besoj që do të ketë vendin e vetë edhe në kabinetin e vet. Ka bisedu z. Krasniqi edhe në Këshillin Drejtues, ndoshta iu ka duk në ato momente që nuk është vlerësu si duhet dhe e ka bërë atë reagim”, ka thënë ai në emision.

Ish-deputetja e PDK’së, pas publikimit të listës së kryesisë së re, ka shprehur pakënaqësinë e saj, duke i cilësuar figurat e zgjedhura si “larg më të dobët” sesa që është pritur.

“Si prurje e partisë, jam shumë e pakënaqur dhe shpreh revolten time me shumë emra të përfolur dhe të etabluar në strukturen e re udhëheqëse në parti. Është e pakuptimtë që figurat zbehëse të votes pro-PDK të sistemohen sërish. Dhe emrat “e rinj” janë larg më të dobët se që pritej, dhe aspak premtues për nevojat aktuale të partisë. Kjo do të ketë kosto. Dhe jam e bindur se ka mundësi për më shumë dhe për shumë më mirë. Ky është dhe do të jetë alarmi im publik”, pati shkruar ndër të tjera ajo.

(Kosova Sot Online)