Rreziku nga fillimi i vitit të ri shkollor me prezencë fizike, a di t’i japë krahë variantit Delta?

  • A.P /
  • 26 August 2021 - 20:43
Rreziku nga fillimi i vitit të ri shkollor me prezencë fizike, a di t’i japë krahë variantit Delta?

Më 1 shtator është paralajmëruar fillimi i vitit të ri shkollor në Kosovë. Vendimi për fillimin e vitit të ri me prezencë fizike në institucionet arsimore në kohën kur po rriten infektimet me virus është parë me skepticizëm. Nga Këshilli i Prindërve kritikojnë Ministrinë e Arsimit që nuk është përgatitur mjaftueshëm për procesin mësimorë ndërsa infektologët në vend kërkojnë që të respektohen të gjitha masat mbrojtëse në mënyrë që të mos përhapet varianti Delta i virusit në shkolla.

Në kohën kur Kosova po regjistron më shumë se dy mijë raste të reja të infektuara me COVID-19 në ditë, e kur varianti Delta i këtij virusi po prek me shpejtësi edhe fëmijët, është vendosur që më 1 shtator të filloj viti i ri shkollor me prezencë fizike në institucionet arsimore.

Infektologë në vend thonë se fillimi i vitit të ri shkollor me prezencë fizike në institucionet arsimore mund t’a rëndoj gjendjen me pandeminë, e të ndikojë në rritjen më të shpejtë të rasteve të infektuara.

Andaj kërkohet zbatim me përpikmëri të masave mbrojtëse nga të gjitha institucionet arsimore, e kërkohet që të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit të vendosin maska, të mbajnë distancën e higjienën.

Infektologu Hamdi Rmadani ka thënë  se situatën me pandeminë e kemi të rëndë në vend.

Andaj ai është shprehur se nëse në shkolla nuk respektohen të gjitha masat mbrojtëse me përpikmëri do të rritet numri i infektimeve mes nxënësve.

“Në fillimi vitin e ri shkollor në qoftëse distanca, maska e higjiena respektohen nga institucionet përkatëse e arsimtarëve me përpikmëri, në këtë drejtim mendoj që nuk do të ishte situatë që do të paraqiste ndonjë përshkallëzim, në të kundërtën nëse këto masa nuk zbatohen, atëherë situata mund të lëvizë drejt një situate edhe më të rëndë. Për fat të keq në vendin tonë situatën me variantin Delta nuk e kemi të mirë, e kemi të brishtë e kemi të rëndë dhe mjaft brengosëse për faktin se për çdo ditë po kemi numër të madh të pacientëve që po dalin COVID pozitiv që po e kalon numrin edhe mbi 2 mijë”, është shprehur ai.

Ramadani ka thënë se varianti Delta transmetohet shumë shpejtë dhe qëndron për një kohë më të gjatë te personat e infektuar, andaj duhet të respektohen masat mbrojtëse.

“Situatën në vend e kemi mjaft serioze për këtë edhe Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë disa masa për ta kufizuar këtë valë të re të pandemisë COVID me virusin Delta. Virusi Delta është faktori kryesor që ka bërë që vendi ynë dhe vendet tjera të kenë këtë numër kaq të madh të sëmundshmërisë. Ky virus transmetohet shumë shpejtë dhe qëndron për një kohë më të gjatë te personat që e kanë këtë virus”, ka thënë ai.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti është shprehur i shqetësuar që institucionet arsimore nuk kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë fillimvit.

Ai ka thënë  se virusi nuk është befasi për shkak se me të institucionet arsimore janë ballafaquar që nga viti i kaluar, andaj edhe sipas tij nuk ka pasur arsye që të mos kryhen të gjitha përgatitjet e duhura për mësimin në kushte të pandemisë.

Përndryshe, ai ka deklaruar se institucionet e vendit kanë treguar jopjekuri dhe joseriozitet.

“Ne si Këshill i Prindërve nuk po pajtohemi me këto vendime të papritura që merren nga institucionet dhe kjo është shumë indinjuese për ne si prindër sepse gjatë tërë kohës kemi kërkuar përgatitje, përkushtimin, vëmendjen e institucioneve tona. Mësimi filloi pa probleme prej 1 shtatorit, kemi ngritur argumentet se nuk është befasi ky vit se që dy vite jemi në kushte pandemie dhe nuk ka qenë kurfar befasie që ne të mos përgatitemi”, ka theksuar ai.

Reshiti është shprehur se për shkak që institucioneve arsimore nuk u kanë mjaftuar 3 muaj për t’u përgatitur për të filluar me sukses vitin e ri shkollor, ky vit i ri nuk do të shkoj me rregull.

“Përderisa 3 muaj nuk i kanë mjaftuar institucioneve të Kosovës për të filluar me sukses vitin me 1 shtator unë nuk jam optimist që mundet me shku në rregull edhe pas 13 shtatorit. Unë nuk shohë risi dhe përkushtim për këtë vit të ri shkollor”, ka shtuar ai.

Ndërsa, edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka deklaruar për gazetën se ky vit i ri shkollor do të jetë shumë i vështir, për shkak që sipas tij varianti Delta i COVID-19 po prek edhe fëmijët.

Ai ka thënë se ata janë të gatshëm që të kalojnë edhe në mësim online varësisht prej situatës, ndonëse është shprehur që mësimi me prezencë fizike zhvillohet më lehtë.

“Jemi për fillim të vitit të ri shkollor në institucionet arsimore, por vendimet që i marrin ata që janë përgjegjës ne do t’i respektojmë dhe do të veprojmë karshi atyre vendimeve. Mësimdhënësit janë në krye të detyrës, ata insistojnë që të punojnë në shkolla për shkak se mësimi zhvillohet më lehtë, por ata u dëshmuan edhe viteve të kaluara nëse na vjen situata që të kalojmë në verzionin e mësimit online. Punëtorët e arsimit brenda mundësive do të mundohen të japin kontributin e tyre për një rrjedhë sa më të madhe të procesit arsimor. Versioni Delta po prek edhe fëmijët do të kemi një vit tepër të vështir shkollor”, ka theksuar ai.

Përndryshe, Jasharaj ka thënë tutje se nga Ministria e Arsimit janë informuar se mbi 80 për qind e mësimdhënësve janë vaksinuar kundër COVID-19.

Ai ka thënë se deri në javën e parë të shtatorit pret që të gjithë mësimdhënësit të vaksinohen me dozën e parë të vaksinës.

“Nga MASHT gjendja qëndron mirë ngase po shtohet numri it ë vaksinuarve në sektorin e arsimit dhe nëse marrin përqindje sipas deklaratave të MSH e ka kaluar 80 për qindëshin dhe poi  afrohet 90 për qindëshit dhe jam optimist që gjatë kësaj jave, eventualisht javën e parë të shtatorit do të jenë të vaksinuar me dozën e parë të gjithë. Ajo që na gëzon është se punëtorët në sektorin e arsimit janë të gatshëm që të fillojnë vitin e ri shkollor në institucione shkollore”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë sot se janë të vetëdijshëm për pasojat që ka krijuar mbyllja e shkollave dhe mësimi në distancë, por që kupton edhe shqetësimet e prindërve për sigurinë̈ shëndetësore të fëmijëve të tyre.

Andaj ajo ka thënë se do të vazhdojmë̈ të përcjellim me kujdes të shtuar gjendjen si dhe të kemi konsultime me profesionistët para secilit vendim.

Kujtojmë që për çdo ditë në vend raportohen dhjetëra fëmijë të infektuar me COVID-19 dhe qindra fëmijë të moshës nën 19 vjeçare të infektuar me këtë virus.

(Kosova Sot Online)