Çdo vit raportohen mijëra raste, shumë gra denoncojnë burrat vetëm kur dhuna bëhet e papërballueshme

  • E.K /
  • 02 September 2021 - 12:58
 Çdo vit raportohen mijëra raste, shumë gra denoncojnë burrat vetëm kur dhuna bëhet e papërballueshme

Çdo vit raportohen në institucionet përkatëse rreth 2 mijë raste të dhunës në familje. Supozohet se ka shumë raste, ku viktimat nuk i denoncojnë dhunuesit. Ndërkaq, në rastet e shumta, kjo dhunë ka përfunduar me vrasje të grave.

Përleshje, rrahje, keqtrajtim, abuzim e deri te dhunimi janë vetëm disa raste kur gratë detyrohen ta thërrasin Policinë e Kosovës për t’i mbrojtur nga familjarët apo bashkëshortët e tyre.

Sipas raporteve të autoriteteve, mijëra raste të dhunës në familje denoncohen përgjatë vitit. Shumica e viktimave janë gratë, ndërsa një përqindje më e vogël e rasteve janë të deklaruar viktima burrat.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, ka thënë se vetëm brenda një viti në Kosovë raportohen rreth 2000 raste të dhunës në familje.

Ai thotë se gjysma prej tyre janë rrahje, duke u bazuar në deklaratat e viktimave të dhunës.

“Rreth 50% të rasteve janë dhunë fizike, e që bazuar në deklaratat e grave të sulmuara, forma dhe mjetet e përdorura gjatë ushtrimit të dhunës, në shumicën e rasteve mund të përfundojnë me fatalitet”.

Ai ka thënë se gratë nuk lajmërojnë rastet e dhunës në fillim. Shumica prej tyre denoncojnë burrat, vetëm pasi situata kalon në një fazë më të dhunshme dhe më të papërballueshme.

Ndërsa në raportin 24 orësh të Policisë se Kosovës është e pamundur të mos raportohet brenda një dite të paktën disa raste të dhunës në familje.

Policia e Kosovës për express kanë bërë të ditur se gjatë 6 vjetve të fundit, duke përfshirë edhe vitin 2021, në Kosovë janë lajmëruar afro 10 mijë raste të dhunës në familje.

Prej janarit të këtij viti, deri në fund të korrikut, janë regjistruar 1 mijë e 374 raste të dhunës në familje, e prej këtyre viktima janë femrat në 1 mije 63 raste, ndërsa meshkujt në 320 raste.

E viti 2020 prin sa i përket rasteve të dhunës. Gjatë një viti, kosovarët kanë raportuar në Polici 2 mijë 69 herë, e viktimat e këtyre rasteve sigurisht që janë femrat.

Kosova disa herë përgjatë dy dekadave të fundit është tronditur me vrasje të vajzave dhe grave nga burrat.

Nga këto, ka pasur raste kur gratë edhe pse i denoncuan burrat e tyre në polici, nuk u morën parasysh.

Njëra nga gratë, e cila u ther me thikë për vdekje nga burri i saj, Zejnepe Bytyçi Berisha, e kishte denoncuar 16 herë dhunën në polici.

Në të njëjtën mënyrë kishin vepruar edhe Valbona Marku-Ndrecaj e Diana Kastrati, burrat e të cilave ishin liruar në procedura të rregullta, kur ishin denoncuar. Më vonë ata u bën vrasës të tyre.  

Listës së gjatë për vrasjen e grave ditëve të fundit iu shtua edhe një 18 vjeçare, nga Ferizaji, e cila, u bë pre e një dhune të papërballueshme dhe brutale nga burri i saj, Dardan Krivaqa dhe një bashkëpunëtor i tij.

Krivaqa e rrahu atë dhe e keqtrajtoi deri në vdekje përgjatë 48 orëve, dhe në fund e dërgoi pa shenja jete në spitalin e Ferizajt, për të ikur vetë nga aty.

Për këtë tragjedi reaguan persona të shoqërisë civile, OJQ e deri te Qeveria e Kosovës.

Madje, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, doli përballë ministrisë ku ajo drejton dhe vendosi të rreshtohet nga protestuesit.

Në anën e marshit protestues ku Ministrja Haxhiu qëndronte kishte pankarta me mbishkrimin “MINISTRiA I KA DUART ME GJAK”.

(Kosova Sot Online)