E dobëson apo e forcon PD-në aksioni i Sali Berishës?

  • E.K /
  • 13 September 2021 - 16:13
 E dobëson apo e forcon PD-në aksioni i Sali Berishës?

Që kur Lulzim Basha vendosi ta parjashtojë nga grupi parlamentar i PD-së, Sali Berisha nuk po i rresht sulmet. Një herë ai flet për një marrëveshje të fshehtë Rama- Basha, një herë tjetër për grisje të aktit të babesisë nga anëtarësia, diku shfaqet në TV për të thënë se do fillojë lëvizjen nga baza dhe diku tjetër shfrytëzon një ceremoni përkujtimore për të shpallur se do ta rikthejë partinë në piedestalin që i takon.

Të gjitha këto në fakt priteshin.

Që kur lëshoi të famshmen “kurrë mos thuaj kurrë”, për mundësinë e rikthimin në krye të PD-së, ai nuk reshti së paralajmëruar Bashësn se nëse do ti bindej verbërisht shantazhit të amerikanëve do të kishte probleme. Edhe disa ditë përpara se kryetari i PD-së të merrte vendimin e tij në një intervistë, Berisha e paralajmëroi: nëse dorëzohesh ne nuk do të lejojmë që PD-në ta marrin peng.

Megjithatë, Basha vendosi të divorcohet me atin e tij politik dhe që nga ky moment dekokratët po e ndjekin me shqetësin këtë sherr të brendëshëm të një partie që prej kohësh, një kryetar i squllët dhe një ekip drejtues eunuk e kishin futur në letargji të plotë.

Pyetjet që shtrohen rëndom janë: a e dobësojë PD dalja në terren dhe bashkëbisedimi i Berishës me demokratët? A ekziston rreziku i një përçarjeje duke ditur se Berisha është shumë i fortë tek militantët ndërsa Basha ka rekrutuar të gjitha strukturat drejtuese? Ai i shërben ky konflikt i brendëshëm regjimit të Ramës që ka aktivizuar të gjitha bateritë mediatike për ti hedhur benzinë zjarrit?

Këto pyetje që shtrohen me të drejtë të krijojnë në pamje të parë përshtypjen se nga kjo përplasje opozita del më e dobët.

Por, po të shikosh pak më thellë edhe më afatgjatë nuk është kështu.

E para, regjimi i Edi Ramës është rinisur për një rrugë të gjatë, minimumi katër vjeçare dhe nëse opozita duhet të hapi një debat të brendëshëm koha për ta bërë tani është më mirë se kurrë. Sa më shumë ti afrohet sfidave elektorale, aq më e pamunduar do bëhet që PD-ja të merret me vetveten. Kështu që ky është momenti i duhur.

Ndonëse për një çast mund të duket sikur lihet mënjëanë beteja me regjimin dhe denoncimi i mëkateve të tij, rëndësi ka një proces që tani e forcon opozitën për ta bërë atë ti bëjë këto detyra me vërtetësi dhe bindje kur afrohen zgjedhjet.

Nga ana tjetër, dalja e Berishës në terren e zgjon PD nga gjumi. Për një kohë të gjatë, duke qenë se kishte vendosur ta mbështeste me çdo kusht Bashën, lideri historik i kishte pranuar në heshtje gjithë mëkatet e tij. Ai kishte kapërdirë gjithë eleminimet e kastës drejtuese dhe bashkëpunëtorëve të tij për ti zëvendësuar ata me figurina qesharake. Ai kishte mbyllur gojën për butësine e Bashës me shumë nga oligarkët që i shërbendin Ramës.

Mjafton të shohësh Facebookun e Berishës dhe ta krahasosh atë me qëndrimet e selisë së PD-së për të kuptuar se sa radikal është njëri në betejën me pushtetin dhe sa e squllët është vija zyrtare. Berisha i fali gjithashtu edhe tani në fund, ish të përzgjedhurit të tij, mungesën e protestave për blerjen e votës, vendimin për ti futur deputetët e PD si qingja në parlament dhe krijimin e një stabiliteti fallco me anë të të cilit Edi Rama të mundej të sundonte pa telashe.

Largimi i këtyre skrupujve, heqja e kësaj mburoje dhe sulmi nga pozicioni radikal që Berisha mund të bëjë ndaj Bashës duke i ndejtur si çekan mbi kokë për çdo tolerim që mund ti bëhet qeverisë do ta shtyjë PD në një përballjeje më të pa kompromis. Edhe nëse nuk e fiton betejën brenda partisë, për shkak se Basha kontrollon strukturat, aksioni i doktorit do prodhojë një opozitë më radikale. Basha nuk do të ketë më tolerancën e Berishës për të toleruar Ramën. Dhe kjo është gjëja e duhur për një opozitë në kushtet e një regjimi.

Prandaj, ndonëse demokratët janë të shqetësuar nga përçarja e mundshme, një zgjim i PD nga gjumi është shpresa e fundit që ajo mos përfundojë si një parti qesharake që bën një opozitë fallco.

(Kosova Sot Online)