Kosovarët blenë më shumë ari sivjet

  • G.G /
  • 18 September 2021 - 13:22
Kosovarët blenë më shumë ari sivjet

Gona Zeka nga qyteti i Prishtinës, gjatë këtij viti ka blerë ari në vlerë prej rreth 700 eurosh. Ajo tregon se herë pas here, kursen para për të blerë këtë produkt, pasi përveç që e shfrytëzon, konsideron se është një lloj pasurie e kursyer për fëmijët e saj në të ardhmen.

“Unë gjatë këtij viti kam blerë një lirë (aksesorë prej ari që vendoset në qafë) pasi blerja e arit është investim i pasurisë së luajtshme dhe në rast nevoje ka mundësi edhe të shitet, vlera financiare nuk i bie”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Se gjatë këtij viti ka pasur rritje të importit të këtij metali të çmuar në Kosovë, tregojnë edhe të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës. Nga janari i këtij viti e deri në gusht, janë importuar mbi 72 kilogramë metale të çmuara, apo rreth 30 kilogramë më shumë sesa vitin e kaluar.

Në vitin 2020 ishin importuar rreth 33 kilogramë, më 2019, 45 kilogramë, në vitin 2018 rreth 56 kilogramë dhe në vitin 2017 ishin importuar 44 kilogramë ari.

Për këto pesë vjet, Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës shprehet se janë importuar “rreth 270 kilogramë me vlerë mbi 7 milionë euro. Importi bëhet kryesisht nga Turqia dhe Italia”.

Një kilogram ari, sipas Shoqatës së Artarëve të Kosovës, sillet rreth 49,000 euro.

Kryetari i kësaj shoqate, Enver Pakashtica, thotë për Radion Evropa e Lirë se sivjet ka pasur rritje të shitjes së metalit të çmuar më shumë sesa vitin paraprak.

Vitin e kaluar, Kosova është përballur me masa kufizuese për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 dhe nuk është lejuar organizimi i ahengjeve dhe gjatë pushimeve ka ardhur një numër i vogël i qytetarëve të Kosovës, që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Ndërkaq, sivjet dasmat dhe ahengjet e ndryshme janë lejuar, çka ka bërë që të ketë përmirësim edhe në shitjen e arit. Në këto tubime, zakonisht gratë vendosin më shumë ari, si vathë, unaza, byzylykë dhe aksesorë tjerë.

“Në dallim prej vitit të kaluar, shitje ka pasur mirë. Një fluks më i madh nëpër dyqane ka qenë nga qytetarët e diasporës. Ata 15 muaj nuk kanë qenë në Kosovë dhe sivjet kanë shpenzuar më shumë. Diasporës duhet t’i falënderohemi. Por, ka raste që qytetarët blejnë ari si rezervë sepse investimi më i qëllueshëm është metali i çmuar”, thekson ai.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë numrin e dyqaneve që merren me këtë veprimtari në Kosovë, por deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë ndonjë përgjigjje.

Gona Zeka jeton dhe punon në Kosovë. Në muajin korrik është martuar vëllai i saj që jeton në Gjermani kurse ceremonia e dasmës është mbajtur në Prishtinë. Dhe si dhuratë për çiftin ajo ka blerë stoli ari në vlerë prej 400 eurosh.

“Me kushtet ekonomike çmimi i arit është i lartë, por ia vlen sepse është produkt që nuk prishet dhe mbetet. Edhe pse martesa ndodhi në kohë pandemie, jemi popull që ndjekim tradita dhe traditat tona janë se në martesë çdo shpenzim që bëhet duket i arsyeshëm”, thotë ajo.

Se interesimi i shteteve të ndryshme, por edhe qytetarëve është rritur në blerjen e arit si rezervë, e thotë edhe profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi. Ari si pasuri ka një likuiditet dhe stabilitet më të madh të çmimit, thotë ai, duke shtuar se qytetarët dhe shtetet që nuk dëshirojnë të pranojnë ndonjë rrisk të lartë, orientohen që si aset të tyre financiar ta ruajnë në rezervat e tyre arin.

“Në dekadën e fundit, çmimi i arit ka qenë shumë stabil. Njerëzit kanë besim, kanë pritshmëri më të mëdha se në rast të krizave apo të ndonjë katastrofe të mundshme, qytetarët më lehtë pasurinë e tyre të krijuar, mund ta ruajnë përmes arit sesa përmes valutave të tjera, si euro, dollarë, kriptovaluta apo letrave tjera me vlerë. Kjo është arsyeja pse kërkesa për ari gjithnjë e më shumë po rritet”, thekson Bektashi.

Përveç qytetarëve që, në mënyrë individuale sigurojnë rezerva të arit, një veprim të tillë e bëjnë dhe shtetet. Republika e Kosovës është i vetmi vend në rajon që nuk ka rezerva të arit. Serbia ka 19.8 tonë rezerva ari, Maqedonia e Veriut 6.9 tonë, Bosnje dhe Hercegovina 3 tonë dhe Shqipëria 1.6 ton.

(Kosova Sot Online)