
Rruga e veçantë e Suedisë në menaxhimin e pandemisë

Rregullat strikte ende po zbatohen në shumë vende të Evropës, ndërsa kufizimet në Suedi janë hequr tërësisht. Rruga e Suedisë ishte dhe është e veçantë.
Skandinavët janë të ngjashëm në vështrim të parë: shumë përparimtarë, të mësuar me mirëqenie, me taksa jashtëzakonisht të larta për birrën. Por sigurisht që kjo përshtypje e parë është gabim i madh. Në realitet, dallimet mes kombeve skandinave janë aq të mëdha sa edhe vetë thellësia e një Fjordi norvegjez.
Kjo fillon me përshkrimin e vet skandinavëve ndaj njeri-tjetrit. Kur flet me një danez mëson pa e pyetur fare se suedezët janë arrogantë.
Por çfarë i bën gjërat edhe më të ndërlikuara është se në fakt disa stereotipe dhe paragjykime janë paksa të drejta. Kështu suedezët zhvilluan modelin e tyre të kontrollit të pandemisë. Nuk ishin politikanët ata që vendosën se çfarë të bënin për të përballuar sëmundjen tinzare. Ata ia lanë fushën shkencëtarëve.
Ata dhanë këshilla përmes mediave se si duhet të sillen qytetarët: lani duart, mbani distancë. Rekomandime që suedezët mund t’i ndjekin por nuk janë të detyruar. Një mbyllje e rreptë ose gjoba të larta për shkeljet, si në vendet e tjera, nuk i përshtaten modelit suedez të qytetarit përgjegjës që kujdeset vet për mbrojtjen e tij. Me pasoja fatale, siç u pa më vonë.
Rezervimi ndaj kritikës
Në dallim nga gazetarët gjermanë, francezë ose britanikë, të cilët kritikojnë ashpër qeveritë e tyre për gabime, shtypi suedez është më i rezervuar. Ai preferon të shpjegojë dhe shpjegon në mënyrë gjithëpërfshirëse – një gazetari konstruktive që nuk e vë në dyshim gjendjen e mirë. Edhe kjo bën që suedezët e kanë më të vështirë të zbardhin gabimet e tyre në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
(Kosova Sot Online)