Kosova nuk e ka luksin që procesi i zgjedhjes së presidentit të përdoret si mjet për konsolidimin e pushtetit personal

Kosova nuk e ka luksin që procesi i zgjedhjes së presidentit të përdoret si mjet për konsolidimin e pushtetit personal
Kosova nuk e ka luksin që procesi i zgjedhjes së presidentit të përdoret si mjet për konsolidimin e pushtetit personal

Gani Qarri

  • 05 March 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Diplomacia aktive dhe sukseset e dukshme të përfaqësimit dinjitoz të Kosovës nga dr. Vjosa Osmani në politikën e jashtme janë një bonus i veçantë dhe një plus i madh për kandidaturën e saj. Deri tani, ndërsa vetëm edhe pak ditë na ndajnë nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, LVV nuk ka dalë me një kandidat të veçantë nga radhët e saj. Nga ana tjetër, partneri qeverisës, lista "GUXO", është deklaruar qartë se mbështet kandidaturën e zonjës dr. Vjosa Osmani. Besoj se tashmë është arritur një marrëveshje konkrete që dr. Vjosa Osmani të përzgjidhet si figurë e përbashkët, konsensuale, e partisë "GUXO" dhe LVV-së, për president të vendit.

 

-Shto këtu edhe deklaratën e Abdixhikut se LDK-ja nuk dëshiron të pengojë stabilitetin e vendit dhe se si parti nuk mbajnë qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj zonjës Osmani. Kjo gjithashtu tregon qartë se Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku kanë arritur pajtueshmërinë për votimin e përbashkët të zonjës dr. Vjosa Osmani për president të Republikës edhe në mandatin e ardhshëm.

Vendi ynë nuk ka më kohë as luksin që procesi i zgjedhjes së presidentit të përdoret si mjet për konsolidimin e pushtetit personal. Jemi në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Përfaqësimi dinjitar i vendit dhe veprimtaria e suksesshme diplomatike e presidentes aktuale, dr. Vjosa Osmani, janë një bonus i veçantë dhe një plus i madh për kandidaturën e saj. Prandaj, vendimi i bashkëpunuar i Abdixhikut është shumë i drejtë dhe i mirëpritur, duke pasur parasysh se zgjedhja e presidentit në përputhje me afatin kushtetues automatikisht shmang ngërçin politik, bllokadat e njohura kundërinstitucionale dhe mundësinë e përsëritjes së ndonjë krize të re, e cila nuk do të ishte e mirë për asnjë parti.

Siç dihet, kryeministri Kurti është takuar dy herë me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, por nuk ka arritur dakordësi përfundimtare. Duke qenë se Murat Jashari nuk ka pranuar kandidaturën për president, dhe afati i zgjedhjes përfundon më 4 mars, dr. Vjosa Osmani mbetet kandidatura më serioze dhe më e pa-konkurencë për këtë post.

Me zgjedhjen e presidentes ose të presidentit të shtetit, në afatin e parashikuar kushtetues, nga Kurti dhe Abdixhiku, të cilët deri dje ishin kundërshtarë të papajtueshëm, kësaj radhe ata po shpëtojnë së bashku vendin pa e kthyer në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat qytetarët e Kosovës janë lodhur dhe mbingarkuar t’i përballojnë. Mosfinalizimi i këtij procesi në afatin e parashikuar mund ta çojë vendin brenda 45 ditësh në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kështu, edhe pas takimit të javës së kaluar midis kryeministrit Kurti dhe Abdixhikut, duket se procesi i zgjedhjes së presidentit është në përfundim dhe nuk ka më tendenca për kalkulime të mëtejshme politike. Kjo flet në favor të zonjës dr. Vjosa Osmani, duke e shikuar si kandidatët më të përshtatshëm që do ta vazhdojnë mandatin si presidente e vendit, duke siguruar unitetin e brendshëm dhe përfaqësimin e suksesshëm të shtetit tonë edhe në 5 vitet e ardhshme, me arritje të vazhdueshme, njohje të reja dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të pavarur të Kosovës në politikën e jashtme euroatlantike dhe globale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".