Euronews: Ka mospajtime për deklaratën përfundimtare të Samitit BE – Ballkani Perëndimor

  • E.K /
  • 06 October 2021 - 11:37
 Euronews: Ka mospajtime për deklaratën përfundimtare të Samitit BE – Ballkani Perëndimor

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, të kryesuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të takohen sot me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, në një samir të pritur prej kohësh për ta përcaktuar procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Samiti tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe në prag të samitit, publiku u përmbyt nga një sërë dokumentesh të brendshme të BE-së që vunë në dyshim jo vetëm zgjerimin, por edhe regjimin pa viza, si dhe kërkesën e Sllovenisë për BE-në lidhur me datën e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Përgjigjen në pyetjen se deri në çfarë mase Bashkimi Evropian është i gatshëm të angazhohet për Ballkanin Perëndimor mund ta sjellë deklarata përfundimtare e këtij Samiti, e cila edhe para kësaj ngjarjeje ishte fokusi i një diskutimi dinamik të vendeve anëtare, përndryshe i ndarë në këtë çështje të zgjerimit të BE -së.

Euronews raporton se ka kundërshti në Bërdo në lidhje me formulimin që do të përdoret në deklaratën përfundimtare të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Disa anëtarë angazhohen që të mos përmendet zgjerimi, por vetëm partneriteti me vendet e rajonit, pasi disa vende janë të rezervuara ndaj termit të zgjerimit.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhei tha sot se udhëheqësit e mbledhur në samitin BE-Ballkani Perëndimor do të “konfirmojnë dhe thonë qartë se janë të përkushtuar për integrimin dhe anëtarësimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në BE”.

“Në atë drejtim, ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë dhe të marrim vendime të tilla si hapja e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, hapjen e kapitujve me Serbinë, përshpejtimin e punës mbi kandidaturën e Bosnje e Hercegovinës dhe liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha Varheji pas mbërritjes në samit.

Megjithatë, dy dokumente të brendshme, të cilat vënë në dyshim zgjerimin dhe regjimin pa viza të Serbisë dhe Shqipërisë, u publikuan përpara samitit. Së pari, Reuters, duke iu referuar dokumentit të brendshëm të BE-së që kishte këtë qasje, njoftoi se Bashkimi Evropian nuk mund të pajtohej më për të dhënë garanci për anëtarësimin e ardhshëm të shteteve të Ballkanit, të cilave u ishte premtuar një vend në BE.

Vetëm një ditë më vonë, ndërsa dokumenti i Reuters ishte ende duke u diskutuar, EUObserver botoi një tjetër dokument të brendshëm të BE-së. Sipas atij dokumenti, anëtarët e Bashkimit Evropian hapën çështjen e mundësisë së heqjes liberalizimit për pesë vende, përfshirë Serbinë dhe Shqipërinë, për shkak të problemit të qëndrimit ilegal dhe azilit të pabazuar.

Në prag të Samitit, dhe pas dy dokumenteve të brendshme që tronditën perspektivën evropiane, mbërriti i ashtuquajturi propozim slloven, i cili u transmetua nga Financial Times, dhe që shënoi vitin 2030 si datë për zgjerimin e BE-së.

(Kosova Sot Online)