Mediumi qeveritar serb në fushatë kundër Kosovës: Petkoviqit s’iu lejua vizita për Pashkët Ortodokse në Manastirin e Deçanit dhe Graçanicës

  • 03 May 2024 - 12:28
Mediumi qeveritar serb në fushatë kundër Kosovës: Petkoviqit s’iu lejua vizita për Pashkët Ortodokse në Manastirin e Deçanit dhe Graçanicës

Drejtorit të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviqit sërish iu ndalua hyrja në Kosovë. Kështu të paktën raporton Kosovonline që kontrollohet nga qeveria e Serbisë duke iu referuar një komunikate nga e ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën, transmeton "Kosova Sot Online".

Sipas kësaj komunikate ndalimi ndodhi aty “ku Petkoviq kishte dashur që për Pashkë të merr pjesë në liturgjinë e mesnatës në manastirin e Deçanit dhe në mëngjesin e Pashkëve të merr pjesë në meshë në manastirin e Graçanicës dhe pastaj të trokit vezët e Pashkëve me më të rinjtë në manastirin e Draganacit”.

Në të thuhet se vizita është dashur të jetë “ekskluzivisht fetare dhe ka përfshirë vizita në manastire, vende të shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe të serbëve, pa asnjë qëllim politik”, por organet e Kosovës e ndaluan vizitën e tij.

“Kurti për më shumë se një vit e ka penguar drejtorin Petkoviq që të vizitojë Kosovën dhe të jetë me popullin e tij dhe këto ndalime jo vetëm që janë pa bazë, por paraqesin edhe shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe vizitat zyrtare, sidomos kur bëhet fjalë për kryenegociatorin e palës serbe në dialog”, pretendohet në kumtesë.

Zyrtari ndërlidhës i Serbisë, theksojnë ata, me kohë ka dërguar “njoftimin” për vizitën e Petkoviqit institucioneve të Kosovës dhe në përputhje me të gjitha marrëveshjet e vlefshme, por Prishtina vazhdon të shkelë në mënyrë të njëanshme marrëveshjet dhe të anulojë të gjitha rezultatet e dialogut në Bruksel”.

“Për të gjitha veprimet e saj të paligjshme dhe të njëanshme, Prishtina u shpërblye me procedurën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe le të përgjigjet tani bashkësia ndërkombëtare, se si me shkeljet flagrante dhe të përditshme të normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, ajo rekomandon “të ashtuquajturën Kosovë” për anëtarësim në këtë organizatë, e cila duhet të bazohet në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, shtohet në kumtesë.

(Kosova Sot Online )