Rifillon ‘lufta’ e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës

  • G.G /
  • 08 October 2021 - 08:40
Rifillon ‘lufta’ e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës

Pas skadimit të marrëveshjes së Uashingtonit me 4 shtator, e cila ia ndaloi shtetit serb lobimet e saj kundër Kosovës, tani ka filluar një fushatë e ‘egër’ e Serbisë.

Disa ditë më parë, ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviç vizitoi disa vende të botës si Venezuelë dhe Indonezi, ku loboi kundër njohjes së Serbisë, shtete të cilat e përkrahën hapur kërkesën e ministrit serb.

E në anën tjetër, në prag të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare UNESCO dhe INTERPOL, Lëvizja për Mbretërinë e Serbisë, DSS dhe 23 shoqata joqeveritare kërkuan nga Qeveria serbe ta rifillojë luftën në parandalimin e hyrjes së Kosovës në këto organizata.

"Njoftimet e fundit të Prishtinës se do të vazhdojë kandidaturën e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare janë një konfirmim i nevojës për të përmirësuar bashkëpunimin diplomatik dhe çdo lloj tjetër midis vendit tonë dhe vendeve që më parë kanë refuzuar të votojnë për hyrjen e Kosovës në Interpol dhe në vendet tjera evropiane dhe institucionet botërore”, u shpreh presidenti i DSS, Milos Jovanoviç.

Siç tha presidenti i POKS, Zika Gojkoviç, “detyrimi ynë nga marrëveshja e Uashingtonit, e cila ndalon lobimin për tërheqjen e njohjes, ka skaduar dhe Serbia duhet të fillojë një fushatë të mprehtë dhe të fortë”.

E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shteti serb asnjëherë nuk e ka ndalur agresivitetin e saj ndaj shtetit tonë.

Po ashtu, ai u shpreh se gjatë këtyre viteve Serbia i ka shfrytëzuar disa dobësi të UE-së, për t’i shtyrë interesat e saj strategjike për të minuar shtet bërjen e Kosovës.

“Serbia, në kuptimin e politikës së jashtme, që kur është shpallur pavarësia e Kosovës më 2008-tën, nuk e ka ndalur asnjëherë agresivitetin e saj karshi shtetësisë së Kosovës, përfshirë këtu edhe sfidimin që i ka bërë vendeve perëndimore mike të Kosovës, duke e shfaqur fuqinë reale që ka dhe asaj që pretendon më pas, brenda shteteve të Unionit Evropian (UE-së) dhe në arenën ndërkombëtare. Por, se çfarë ka bërë Serbia në dy dekadat e fundit e specifikisht nga shpallja e mëvetësisë nga ana e Kosovës, i ka shfrytëzuar disa dobësi të UE-së, për t’i shtyrë interesat e saj strategjike për të minuar shtet bërjen e Kosovës. Po pse ka ndodhur kjo? Edhe për një arsye shtesë, sepse ndër vitesh, ne kemi pasur politikë të jashtme e improvizimeve!”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)