Gjykimet që po zgjasin me vite të tëra, a po shkelen të drejtat e palëve?

  • E.K /
  • 08 October 2021 - 22:48
Gjykimet që po zgjasin me vite të tëra, a po shkelen të drejtat e palëve?

Në gjykatat tona ka stërzgjatje të gjykimeve dhe zgjidhjes së lëndëve të palëve në kontest gjyqësor.

Ka 14 vjet që lënda e një rasti të trafikimit me qenie njerëzore po qëndron në sirtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Më këtë rast janë katër të akuzuar për trafikimin e viktimës Q.O., kurse seanca e radhës është caktuar për 8 nëntor.

Megjithatë ky nuk është rasti me kohëzgjatjen më të madhe që kërkon zgjidhje.

Avokatja Fehmije Gashi – Bytyçi tregon për një rast kur një klient i saj ka ndërruar jetë pasi 19 pritje të vendimit të gjykatës.

“19 vjet d.m.th. personi ishte i akuzuar për një rast të dhunimit, e kaloi shkallën e parë, shkallën e dytë mirëpo për fatin e mirë Supremja e ka kthyer në rigjykim pas 11 viteve, por dhimbja që kam përjetu është se klienti ime 15 ditë para se Supremja ta kthejë në rigjykim edhe një herë ai ka vdekur”, tha ajo.

Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti gjykatave themelore u janë shtuar lëndët për 13 për qind.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një raport të vitit 2020 ka thekuar se kohëzgjatja e trajtimit të rasteve civile vetëm në shkallë të parë është 1,513 ditë, ndërsa ajo e shkallës së dytë është 1,288 ditë.

Ndryshe në këtë raport thuhet se, për të përfunduar një rast nga momenti i parashtrimit të padisë e deri në momentin kur vendimi gjyqësor merr formën e prerë, mesatarisht duhet të kalojnë 2.801 ditë, apo rreth 7 vite e 8 muaj.

(Kosova Sot Online)