Dështon testi hipersonik i ushtrisë amerikane

  • G.G /
  • 22 October 2021 - 14:03
Dështon testi hipersonik i ushtrisë amerikane

Shtetet e Bashkuara shënuan një hap prapa në garën me Kinën e Rusinë për zhvillimin e armëve hipersonike, kur testi i fundit në këtë fushë dështoi, tha të enjten Pentagoni përmes një deklarate.

Një raketë që përdoret për ta përshpejtuar predhën në shpejtësi hipersonike dështoi, prandaj testimi i predhës nuk pati mundësi të zhvillohej, thuhet në deklaratën e Pentagonit.

Zyrtarët kanë filluar një vlerësim të testimit, që u zhvillua të enjten në Kodiak të Alaskës, për ta marrë vesh shkaktarin e dështimit të raketës shtytëse.

Pentagoni e ka përë zhvillimin e armëve hipersonike një ndër prioritetet kryesore, sidmos në kohën kur Kina dhe Rusia po punojnë për t’i zhvilluar versionet e tyre të këtyre armëve.

Ky dështim është një goditje tjetër për përpjekjet amerikane pas një testimi të dështuar në prill dhe vjen vetëm disa ditë pasi u raportua se Kina ka testuar me sukses një mjet rrëshqitës hipersonik.

Për shkak të shpejtësisë së jashtëzakonshme me të cilën fluturojnë, armët hipersonike janë të vështira për t’u vërejtur. Ato gjithashtu mund të bëjnë manovra dhe t’i shmangin sistemet mbrojtëse raketore.

(Kosova Sot Online)