Një tërmet i fortë e goditi Tajvanin

  • A.P /
  • 24 October 2021 - 16:42
Një tërmet i fortë e goditi Tajvanin

Ndërtesat në Taipei po dridheshin mëngjesin e sotëm kur një tërmet me magnitudë 6.5 goditi verilindjen e Tajvanit, por nuk u raportuan dëme.

Tërmeti me epiqendër në Qarkun Yilan ndodhi në një thellësi prej 66.8 kilometra dhe u ndje në pjesët veriore dhe lindore të Tajvanit, tha Instituti Hidrometeorologjik atje.

Metroja e Taipeit u mbyll për pak kohë, por trafiku rifilloi shpejt. Operatori shtetëror i shpërndarjes së energjisë elektrike tha se rrjeti po funksiononte normalisht.

Taiwan Semiconductor Manufacturing Co. Ltd. (TSMC), prodhuesi më i madh në botë i çipave me kontratë, tha se ka evakuuar disa punëtorë.

“Personeli në disa uzina TSMC në Tajvanin verior u evakuuan gjatë tërmetit sipas rregulloreve të kompanisë dhe të gjitha sistemet e sigurisë funksiononin normalisht”, thuhej në deklaratë.

Tajvani shtrihet pranë kryqëzimit të dy pllakave tektonike dhe tërmetet janë të shpeshta.

Një tërmet në Tajvanin jugor në vitin 2016 i la të vdekur më shumë se 100 njerëz, ndërsa një tërmet me magnitudë 7.3 në vitin 1999 i mbyti më shumë se 2000.

(Kosova Sot Online)