Rritet numri i personave që vuajnë nga uria, familjet afgane detyrohen të shesin fëmijët

  • A.P /
  • 08 November 2021 - 21:06
Rritet numri i personave që vuajnë nga uria, familjet afgane detyrohen të shesin fëmijët

Programi Botëror i Ushqimit ka deklaruar se numri i njerëzve që ndodhen në prag të urisë në 43 vende, është rritur në 45 milionë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara thotë se kjo rezultoi pas një vlerësimi të sigurisë ushqimore që gjeti se 3 milionë të tjerë përballen me zinë e bukës në Afganistan.

Në një intervistë për “BBC” drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley u shpreh se situata në Afganistan është aq e keqe sa vështirë se mund të imagjinohet.

Sipas ekspertëve dimri i  ftohtë do të rrezikojë miliona njerëz, përfshirë fëmijët të cilët ka të ngjarë të përballen me krizën e urisë.

Familjet që përballen me pasigurinë  ushqimore po detyrohen të martojnë herët fëmijët, duke i hequr ata  nga shkolla ose duke i ushqyer me karkaleca, gjethe dhe kaktus.

Afganistani po përballet me krizën më të madhe humanitare në botë ku raportimet e mediave tregojnë situatën e rëndë atje.

Shume familje janë të detyruara të shesin fëmijët e tyre në përpjekje të dëshpëruar për të mbijetuar.

Rritje e shkallës së urisë gjithashtu është vënë re në Etiopi, Haiti, Somali, Angolë, Keni dhe Burundi.


(Kosova Sot Online)