BE-ja do t’i bëjë bashkë dy armiqtë e përbetuar, Aliyevin e Pashinianin

  • S.A /
  • 20 November 2021 - 09:22
BE-ja do t’i bëjë bashkë dy armiqtë e përbetuar, Aliyevin e Pashinianin

Bashkimi Evropian ka njoftuar se Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, dhe Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, do të takohen në Bruksel muajin e ardhshëm për të diskutuar rreth përleshjeve në kufi dhe avancimin e diplomacisë.

“Udhëheqësit janë pajtuar që të takohen në Bruksel për të diskutuar për situatën rajonale dhe për rrugët e tejkalimit të tensioneve për një Kaukaz Jugor të begatë e të qëndrueshëm, që BE-ja e përkrah”, tha një zëdhënës i presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel. Takimi mes dy rivalëve të ashpër është planifikuar për datën 15 dhjetor si pjesë e samitit të BE-së për Partneritetin Lindor në Bruksel, shkruan Free Europe. Njoftimi për këtë takim erdhi pas bisedave telefonike që Michel zhvilloi me dy udhëheqësit.

“Gjatë bisedave telefonike, udhëheqësit armen e azer gjithashtu u pajtuan që të formojnë një linjë për komunikim të drejtpërdrejt, në nivelin e Ministrive të Mbrojtjes, që të shërbejë si një mekanizëm për parandalimin e incidenteve”, tha BE-ja.

Ky do të ishte takimi i tretë sy më sy i Aliyevit e Pashinianit që nga lufta 44-ditore e vitit të kaluar për Nagorno-Karabakun, ku u vranë mijëra njerëz para se palët të arrinin një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia.

Dy takimet e kaluara pas luftës mes dy udhëheqësve të ish-republikave sovjetike janë zhvilluar në Moskë me pjesëmarrjen edhe të presidentit rus, Vladimir Putin.

(Kosova Sot Online )