Betohet kryetari i Malishevës

  • E.K /
  • 01 December 2021 - 13:24
Betohet kryetari i Malishevës

Kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati dhe anëtarët e zgjedhur të Kuvendit të Komunës së Malishevës sot edhe zyrtarisht e kanë dhënë betimin dhe ligjërisht i kanë marrë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

Kastrati u zotua se do të bashkëqeverisë me qytetarët për jetësimin e vizionit për “Malishevën Urbane”.

“Besimi që na keni dhënë për ne ka vlerë të madhe. Ju na keni vlerësuar, ju e keni konfirmuar punën e mirë të qeverisjes tonë, dhe ne sigurisht që me një dinamikë edhe më të madhe do të vazhdojmë të punojmë e të realizojmë shumë projekte të mira, të cilat edhe ju i prisni. Më lejoni që të ritheksoj edhe një herë, ashtu siç e kam thënë mjaftueshëm prej që e kam nisur këtë rrugëtim politik: Fokusi im është zhvillimi i Malishevës Urbane dhe qëllimi im është që qytetarët e Komunës së Malishevës të kenë trajtim të barabartë në marrjen e shërbimeve që meritojnë”.

“Si një ithtar i parimit të bashkëvendimmarrjes me qytetarët, ju premtoj se pavarësisht sfidave që mund të kemi gjatë këtij rrugëtimi qeverisës që sot po e nisim, ne, për asnjë moment nuk do të ndalemi deri në jetësimin e vizionit tonë për Malishevën Urbane”.

Ai tha se një qeverisje e mirë dhe e suksesshme është vetëm ajo që bashkëvepron me qytetarët dhe i harton politikat bashkë me komunitetin.

Kastrati ka vlerësuar punën e paraardhësit të tij Ragip Begaj duke thënë se në tetë vjetët e kaluara Malisheva është zhvilluar, por ka akoma punë.

“Çdo punë e mirë e qeverisjes Begaj është duartrokitur si sukses, vlerësimi qytetar që kemi marrë ka treguar qartë se në këto 8 vite është punuar e Malisheva është zhvilluar, por kjo nuk duhet të na bëj komod, përkundrazi ne duhet të punojmë edhe më fort,  që t’i vazhdojmë projektet që janë në proces, në mënyrë që më pas Malishevën ta çojmë në një stad tjetër të zhvillimit e përparimit, deri në urbanizimin e plotë të saj, për çka edhe shoqëria jonë e pret me padurim”.

“Jam i sigurt që me të gjithë ju do të jem shumë bashkëpunues, si të barabartë që jeni, çdo herë do të keni trajtimin, respektin e konsideratën time të plotë, pavarësisht bindjeve politike, sepse unë besoj fuqishëm që pa shmangshëm, të gjithë ne bashkë e kemi për synim kryesor zhvillimin e Malishevës dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve”.

(Kosova Sot Online)