Reshjet e shiut shkaktojnë vërshime në Drenas

  • E.K /
  • 06 December 2021 - 11:00
Reshjet e shiut shkaktojnë vërshime në Drenas

Të reshurat e shiut kanë shkaktuar vërshime në fshatin Polluzhë të Komunës së Drenasit.

Si pasojë e reshjeve të shiut, është shkaktuar rritje e nivelit të ujit në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në Facebook nga Komuna e Drenasit.

“Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë orëve të vona të së dielës dhe të hënës, kanë shkaktuar ngritje të nivelit të ujit në disa zona, sidomos në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj, përkatësisht të rreth rrotullimi në fshatin Polluzhë, por edhe në disa pjesë të tjera”, thuhet në njoftim.

Në njoftim është bërë e ditur se ekipet emergjente janë në terren.

“Që nga mëngjesi, ekipet emergjente janë në teren dhe po monitorojnë situatën dhe janë duke intervenuar ne ato zona ku niveli i ujit është më i madh. Nuk ka vërshime në shtëpi banimi, vetëm në disa segmente rrugore, siç është rasti të rreth rrotullimi në fshatin Polluzhë si dhe mbyllje të kanalizimeve”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna e Drenasit ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të intervenojë në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj.

“Komuna e Drenasit, kërkon nga Ministria e Infrastrukturës që të intervenojnë në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj, pasi që është në kompetencë të nivelit qendror. Ndërsa fton qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe t’i shmangen vendeve ku uji ka vështirësuar qarkullimin”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)